Gazetari dhe aktivisti politik Blerim Shala ka vlerësuar se takimi i mbajtur në Stubiçke Toplice të Kroacisë në vitin 1991 ka qenë moment kyç historik, ku udhëheqja politike e Kosovës mori vendimin strategjik për të mos hyrë në luftë, një zgjedhje që sipas tij e shpëtoi Kosovën nga një katastrofë e sigurt.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala u shpreh se pavarësisht monopolit politik që kishte LDK-ja në atë kohë, me presidentin Ibrahim Rugova ka pasur gjithmonë hapësirë bashkëpunimi dhe komunikimi. Sipas tij, druajtja kryesore e Rugovës lidhej me pasojat që do t’i pësonte populli nga veprime të rrezikshme politike.
Shala kujtoi se Rugova kishte qenë kundër grevës së 3 shtatorit, duke e ditur se pas saj do të pasonin përjashtimet masive të shqiptarëve nga puna.
“Pas 3 shtatorit u përjashtuan rreth 140 mijë shqiptarë. Nuk mund të hyje në konflikt sindikal me një pushtet autokratik që nuk mërzitet as për punëtorët e vet, e lëre më për tanët”, theksoi ai.
Duke folur për Stubiçke Toplice, Shala ka thënë se aty kishte nisma serioze për hyrjen e Kosovës në luftë, përfshirë idenë e ashtuquajtur “fronti jugor”. Megjithatë, sipas tij, roli i Ibrahim Rugovës, Veton Surroit, Fehmi Aganit dhe pjesës tjetër të delegacionit ishte vendimtar për ta ndalur këtë skenar.
“Logjika e shëndoshë mbizotëroi. U vendos qartë se nuk është momenti që Kosova të hyjë në luftë më 1991”, u shpreh Shala, duke shtuar se në atë kohë Kosova ishte plotësisht e papërgatitur, pa mbrojtje territoriale, pa mbrojtje civile dhe pa përkrahje reale nga faktori shqiptar.
Ai kujtoi edhe vizitat e para në Shqipërinë e vitit 1991, ku udhëheqësit e rinj politikë atje kishin pranuar hapur se nuk mund të bënin asgjë për Kosovën, duke dëshmuar se faktori shqiptar ishte praktikisht inekzistent.
“Po ta kishim bërë atë gabim më 1991 dhe të hynim në luftë, sot nuk do të bisedonim këtu. Ndoshta do të bisedonim diku në Suedi apo Danimarkë”, përfundoi Shala.