Nuk ka ende ndonjë sinjal se SHBA-ja do të veprojë njësoj si Kosova për tarifë zero në importe. Në Ambasadën amerikane në Prishtinë thanë se kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë, teksa numëruan fushat ku ekonomia amerikane ka interes. Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar, e njohës të çështjeve ekonomike e politike vlerësojnë se vendimi i Qeverisë ka më shumë peshë politike sesa ekonomike
Energjia, mbrojtja, infrastruktura dhe sektori i informacionit janë disa nga sektorët që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i shohin si mundësi për bashkëpunim ekonomik me Kosovën.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë për KOHËN se mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifës 10 për qind për mallrat amerikane që futen në Kosovë, por nuk ka treguar nëse një gjë të tillë do ta bëjë edhe Amerika ndaj Kosovës.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret heqjen e tarifave ndaj mallrave amerikane nga ana e Qeverisë së Kosovës. Për më shumë informacione lidhur me tarifat, ju referojmë te Shtëpia e Bardhë ose Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së (USTR). Ne shohim mundësi për bashkëpunim ekonomik në Kosovë në disa sektorë, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Nëse ka sinjale se tarifën do ta heqë edhe administrata amerikane ndaj Kosovës nuk janë përgjigjur nga Qeveria, e cila njëanshëm më 1 gusht largoi atë për importet amerikane.
Kosova ende nuk i ka filluar negociatat për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale për tregti të lirë me SHBA-në.
KOHA ka adresuar pyetje edhe te Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.
E Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, e sheh vendimin e Qeverisë me më shumë peshë në aspektin strategjik dhe të pozicionimit të Kosovës në politikën e jashtme sesa në atë ekonomik.
“Nuk kemi parë ndonjë zhvillim apo përafrim të të dy shteteve për të nënshkruar një marrëveshje bilaterale, por ky veprim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës përçon një mesazh mjaft të mirë dhe është në vijë edhe me pritjet e administratës Trump se si do të sillen shtetet karshi SHBA-së. Në rastin tonë, duke qenë një vend i vogël dhe të dërgojmë sinjale të duhura që ne e shohim vetën si partner të SHBA-së edhe nëse nuk ndodh një qasje reciproke nga vetë SHBA-ja”, ka thënë Hasaj.
Sipas tij, Kosova nuk është importuese e madhe e mallrave amerikane.
“Nga analizimi i të dhënave që kemi bërë gjatë vitit, norma efektive doganore ishte 10 për qind, ka qenë 3 për qind deri në 4.5 për qind dhe jo të gjitha produktet e kanë pasur këtë tarifë. Por në aspektin e politikës së jashtme e shohim si një vendim të mirëseardhur veçmas që Kosova po përshpejton këtë procesin e përafrimit të marrëdhënieve me SHBA-në në një kohë kur është tejet e rëndësishme për vendin tonë”, ka theksuar Hasaj.
Vitin e shkuar Kosova eksportoi mallra në vlerë 39 milionë euro drejt SHBA-së, ndërsa importet arritën pikën më të lartë deri tash, 106.5 milionë euro.
Në prill të këtij viti, SHBA-ja vendosi tarifë prej 10 për qind ndaj produkteve të Kosovës si masë reciprociteti. Në fakt, Kosova ishte ndër shtetet që kaloi më së lehti, pasi vetëm në rajon ka shtete që këtë tarifë e kanë 35 për qind, si Serbia për shembull.