Arbëri

SHBA-ja thotë se bllokimi i vazhdueshëm politik po i humb mundësi Kosovës

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës (Foto: Alban Bujari)

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka lëshuar vendimin e saj dhe se lidershipi i Kosovës duhet të bashkëpunojë për t’i formuar institucionet.

Në një përgjigje për KOHËN, Ambasada ka thënë se bllokimi i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën”

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka lëshuar vendimin e saj dhe lidershipi politik duhet të punojë së bashku për t’i formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre t’i përmbushin angazhimet e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit. Ky bllokim I vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që lidershipi të prioritizojë progresin dhe stabilitetin në dobi të qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim. 

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.