Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shembet ekspozita që “masakroi” masakrat

Masakrat 1998-1999

Pas valës së reagimeve e kritikave për pasaktësi, janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat e ekspozitës me të dhëna për masakrat e luftës në Kosovë. Autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, hoqi përgjegjësinë, duke thënë se është shërbyer me të dhëna të disa organizatave, përfshirë ato të Fondit për të Drejtën Humanitare. Por, e përgënjeshtroi Fondi, duke theksuar se Gashi s’diti t’i lexojë as të dhënat. Të shtunën është aktivizuar edhe Prokuroria Speciale

Pesë ditë pas vendosjes, të shtunën në mëngjes janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat me përmbajtje të pasakta për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë luftës, e që ishin pjesë e një ekspozite të financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Veprimi është ndërmarrë një ditë pasi Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën, si pasojë e reagimeve të shumta publike lidhur me pasaktësitë e identifikuara në përmbajtje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqur, në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave dhe kanë krijuar një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik”, ka thënë Luftar Braha, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Pas kësaj, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës që funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale, ka njoftuar se ekspozita do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.

Përfshirja e Prokurorisë në këtë rast është kërkuar që nga e premtja nga disa akterë institucionalë dhe shoqërorë.

Njëri prej atyre që bëri thirrje për aktivizimin e hetuesisë lidhur me deformimin e historisë është i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili edhe i ka denoncuar fillimisht pasaktësitë në ekspozitë.

Në njërën nga tabelat e saj për Masakrën e Dubravës jepet numri i pasaktë i viktimave dhe për disa prej tyre thuhet se kanë qenë shqiptarë të armatosur.

Për këtë përmbajtje, i mbijetuari tjetër i masakrës, Visar Ballovci, tha se nuk përkon me realitetin që ai dhe të tjerët e kanë përjetuar.

“I kam përjetuar me shokë e dashamirë, krejt çka i kom pasë atje. Edhe kjo ekspozitë që e kanë qitë në reklamë, nuk përputhet në atë kuptimin me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës. Ne e kemi përjetuar live atë”, ka thënë Ballovci. “Ne me pasë qenë (të armatosur), në atë kuptimin, kishim bërë diçka me shpëtu veten. Por asnjë send s’e kemi pasë. Tre herë kam qenë unë vetë në pushkatim, edhe kam nejtë nëpër xhenaze të të vrarëve aty. Edhe që kemi pasë, kemi pasë shumë tortura të mëdha që s’ta merr mendja”.

Ndaj përmbajtjes së ekspozitës ka reaguar edhe Nait Hasani, po ashtu i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.

“Aty nuk ka pasur të burgosur të armatosur, aty nuk ka pasur civilë shqiptarë, aty ka pasur të burgosur shqiptarë dhe si shqiptarë janë vrarë 118 të burgosur dhe janë plagosur mbi 400 të tjerë. Dhe kjo ekspozitë, e financuar nga Kuvendi i Kosovës me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë është krim”, ka thënë ai.

Ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë teksa Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë përmend të paktën 45 civilë shqiptarë.

Të dhëna të pasakta pati edhe për Masakrën e Izbicës, që të shtunën e shënoi përvjetorin e 27-të. Bazuar në publikime të Institutit, në këtë masakër u vranë nga forcat serbe 147 civilë shqiptarë. E, në ekspozitë thuhet se ishin 115.

Po ashtu, janë ekspozuar pasaktësi edhe për masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe.

E, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), e ka përgënjeshtruar autorin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë”, Shkëlzen Gashi, i cili tha se të dhënat e pasakta që u prezantuan në të janë të Fondit.

Në reagimin e kësaj organizate thuhet se përveç që autori ka publikuar pasaktësi, ai ka mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Sipas Fondit, Gashi ka nxjerrë si përfundim se një viktimë e krimeve të luftës ka qenë e armatosur veç pse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së, dhe nuk e ka kategorizuar si civil.

“Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë. Është e domosdoshme të ndërpritet paraqitja arbitrare dhe joprofesionale e krimeve dhe fatit të viktimave”, thuhet në reagim.

Autori i ekspozitës i ka reaguar Fondit.

“Sqarojmë se askund nuk kemi thënë që Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se në momentin e vrasjes, 48 persona të vrarë në Burgun e Dubravës kanë qenë të armatosur e duke luftuar. As ne nuk po themi që këta persona janë vrarë duke luftuar. Por, kemi thënë se në listën e Fondit për të Drejtën Humanitare, këta persona FIGUROJNË si të armatosur/ushtarë”, ka thënë Gashi.

Në katër reagimet që ka publikuar, Gashi nuk e ka marrë përgjegjësinë për shtrembërim të fakteve historike me këtë ekspozitë, e cila bazohet në librin e tij “Masakrat në Kosovë”.

Ani se në njërin nga këto reagime Gashi e ka pohuar se dihet botërisht që ajo që ka shkruar për Masakrën e Reçakut nuk është e vërtetë, ai këto të pavërteta i ka cituar si fakte në ekspozitë dhe në librin e tij.

Ekspozita e Gashit është financuar edhe nga Kuvendi.

Ky institucion nuk e ka marrë përgjegjësinë për pasaktësitë.

Të shtunën kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u shpreh se vendimi për mbështetje është marrë në kryesi nga votat e të gjithë anëtarëve përveç atyre të Listës Serbe.

“Mbështetja për këtë ekspozitë është dhënë me qëllim të mirë. Megjithatë, ky rast përbën një moment të rëndësishëm reflektimi institucional. Në këtë drejtim, do të ndërmarrim hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimit të Rregullores ekzistuese, me qëllim fuqizimin e kritereve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje”, ka thënë Haxhiu.

Partia Demokratike ka reaguar duke kërkuar përgjegjësi institucionale për promovim të përmbajtjeve të tilla pa verifikim paraprak.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon: Hetim për elemente të mundshme të veprës penale, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të parasë publike dhe cenimit të interesit publik”, thuhet mes tjerash në reagimin e PDK-së.

Edhe Lidhja Demokratike ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin, mbështetjen dhe promovimin e ekspozitës.

“Kjo përgjegjësi nuk është vetëm administrative; ajo është përgjegjësi ndaj historisë, ndaj viktimave dhe ndaj qytetarëve të Republikës. Po ashtu, kërkojmë një kërkimfalje të qartë dhe publike të përgjegjësve shtetërorë ndaj familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetarëve, për cenimin e ndjenjës së drejtësisë dhe të respektit që u takon atyre”, thuhet në reagimin e LDK-së.

KOHA të shtunën ka kërkuar informacione nga Kuvendi për shumën që është ndarë për këtë ekspozitë, por nuk ka marrë përgjigje.

Fonde publike janë dhënë edhe për blerjen e librit të Gashit. Më 2025 Ministria e Diasporës ka shpenzuar 15 mijë euro që kopjet e tij të shpërndaheshin nëpër ambasada.

Për përmbajtjen e librit KOHA pati publikuar artikullin e historianit Durim Abdullahu, i cili kishte konstatuar tek para një viti, se në të “ka shumë pasaktësi dhe paplotësi, nuk paraqet ndonjë studim serioz dhe të thelluar, por vetëm një vepër të kompiluar nga disa pak libra të tjerë, pa teorizime, pa metodologji, pa bibliografi dhe pa krahasime burimesh”.

Gashi edhe më parë pati deklaruar se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte, për çka ishte shkarkuar nga posti i këshilltarit nga kryeministri Albin Kurti.