Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar krimet e luftës, përfshirë themelimin e Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimin e Prokurorisë Speciale, teksa u shënua Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Është një krim i rëndë, një mjet lufte që Serbia e ka përdorur gjatë luftës. Në këtë drejtim, sipas raporteve vendore dhe ndërkombëtare, është konsideruar që rreth 20 mijë persona janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë. Si qeveri që nga fillimi i mandatit kemi ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar krimet e luftës. Qeveria e ka themeluar Institutin për krimet e luftës, ku do të dokumentohen dhe identifikohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Kemi mundësuar votimin e strategjisë për drejtësi tranzicionale.
Edi Gusia, kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore, theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke thënë se Kosova jep një kontribut të veçantë në këtë ditë që respekton memorien kolektive të të mbijetuarave.
“Shënojmë së bashku të gjithë qytetarët e Kosovës Ditën Ndërkombëtare të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Kosova jep një kontribut të veçantë. Kjo është një ditë kur respektojmë memorien kolektive për atë çka ka ndodhur në Kosovë. Mbi 1 mijë e 700 personave tashmë i është njohur statusi i të mbijetuarve. Ngrit zërin për të gjitha ato dhunime seksuale që aktualisht janë duke u përdorur si mjet lufte në të gjitha vatrat e luftës në mbarë botën. Bëjmë thirrje që angazhimi i të gjithë liderëve botërorë për të parandaluar dhunimet seksuale si mjet lufte”, shtoi Gusia. /EO