Personat me shqetësime e sëmundje mendore në Kosovë kanë dy zgjedhje - të trajtohen në institucionet publike të mbingarkuara e me kapacitete të kufizuara, apo në ato private pa mbikëqyrje e me seanca të shtrenjta. Ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve që menaxhojnë këtë sektor, jo një herë kanë ngritur alarmin për mungesën e hapësirave e të kuadrit profesional, për pamundësinë e ofrimit të shërbimit në zonat e largëta, si dhe për izolimin e pacientëve e mungesën e kushteve për socializimin e tyre.
Trajtimi i rasteve të rënda është përgjegjësi e reparteve të psikiatrisë në QKUK e spitale rajonale dhe e qendrave të shëndetit mendor.
Shërbimet në këto institucione ofrohen edhe për rastet më të lehta, si ato me shqetësime të ankthit e të depresionit, por që, sipas drejtorit të Qendrës për Shëndet Mendor në Prishtinë, neuropsikiatrit Sami Rexhepi, ato janë të kufizuara për shkak të mungesës së kapaciteteve.
“Kjo qendër ofron shërbime për një të tretën e Kosovës, qoftë për nga territori, por edhe për nga numri i banorëve. Mjerisht nuk i përmbush kushtet për rolin dhe funksionin që ka në aspektin e hapësirave. Mirëpo, mungon edhe një numër i punëtorëve. Ne para deri disa vjetëve nuk kemi pasur as automjete për punën në terren, por e kemi fituar një grant dhe i kemi fituar tri vetura”, ka thënë Rexhepi.
Profesoresha universitare e psikologjisë, Natyra Agani, ka sjellë përvojën e saj si psikologe klinike. Ajo ka treguar se shumica e rasteve që kërkojnë ndihmë janë të rinj me shqetësime afektive.
“Më së shpeshti dhe të më zakonshme, njerëzit kërkojnë shërbime të shëndetit mendor për çrregullimet e ankthit fillimisht, për çrregullime të disponimit dhe për vështirësi specifike të sjelljes që mund të kenë, shembull mendimet brengosëse ose mendimet obsesive të cilat më pas manifestohen me sjellje të përsëritura të cilat janë të pengueshme për mjedisin ku funksionojnë”, ka deklaruar Agani.
Të gjitha shërbimet publike për shëndet mendor ofrohen në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Të dhënat nga QSHM-të, por edhe nga repartet e Psikiatrisë, tregojnë që shumica e përfituesve nga këto shërbime janë pacientë që vuajnë nga çrregullimet e grupit diagnostik të skizofrenisë dhe sëmundjeve deluzionale.
Për shqetësimet afektive, që profesoresha Agani tha se janë raste më të shpeshta, shërbimet kërkohen dhe ofrohen në sektorin privat.
“Pjesa praktike e marrjes së shërbimeve të shëndetit mendor, me të cilën edhe unë jam më e familjarizuar, është në sektorin privat. Janë këto ambulancat psikologjike, shpesh edhe ambulancat psikiatrike që ofrojnë edhe shërbime psikologjike, prej një ekipi multidisiplinar, siç janë psikiatrit edhe specialistë të psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, ndoshta edhe vetëm psikologët klinikë ata të cilët i ofrojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet e shëndetit mendor, qoftë përmes terapisë, qoftë përmes shërbimeve të ndryshme”, është shprehur ajo.
Nga të dhënat që ka siguruar KOHA, del që një seancë psikologjike në këto institucione private kushton prej 20 deri në 35 euro. Zakonisht seancat mbahen çdo dy javë, mirëpo në rastet më të rënda edhe më shpesh e madje përcillen edhe me seanca psikiatrike që kushtojnë rreth 50 euro.
Ndërsa shërbimet në institucione publike janë kryesisht të fokusuara kah personat me gjendje më të rëndë mendore e më sëmundje kronike, Qendrat e Shëndetit Mendor (QSHM), që gjenden në secilën qendër rajonale, janë të konceptuara si vend ku njerëz me shqetësime të shëndetit mendor e bëjnë kalimin nga trajtimi i institucionalizuar dhe i mbyllur nëpër repartet e Psikiatrisë drejt rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri.
“Sikur të kishim më tepër hapësira, më tepër personel, ne përveçqë do punonim siç është dizajnuar fillimisht Qendra për Shëndet Mendor, Rehabilitim, Risocializim i të sëmurëve kronikë psikikë, të merremi edhe me pjesën tjetër të cilët nuk janë të sëmurë, të cilët shpeshherë kanë nevojë vetëm për mbështetje profesionale që të tejkalohet një krizë, me çrregullime të lehta të cilat e parandalojnë përkeqësimin apo thellimin e sëmundjes, që do të ishte një ndihmesë e madhe”, ka thënë drejtori Rexhepi.
Psikologia Agani ka treguar arsyen pse të rinjtë janë ata që kërkojnë më shumë ndihmë psikologjike profesionale. Sipas saj, kjo ka të bëjë me vetëdijesimin e tyre për rëndësinë e shëndetit mendor.
“Unë punoj me një target-grup të të rinjve prej moshës 18 deri në 45 vjeç, ky është edhe grupi i individëve që kërkon më së shumti shërbime të shëndetit mendor, ndoshta me gjasë se kanë edhe vetëdijesim më të madh për shërbimet e shëndetit mendor tek fëmijët, janë prindërit që marrin një rol më proaktiv, ndonëse jo gjithmonë në kohë”, ka treguar Agani.
E moshat më të shtyra, sipas Aganit, janë të mënjanuara dhe ata referohen te profesionistët e shëndetit mendor, kryesisht nga mjekët e specializuar për fusha të tjera të trajtimit.
“Ndërkaq këto moshat e le të themi më të rritura (45 vjeç e më shumë), vërtet janë shumë të mënjanuar kundrejt marrjes së shërbimeve të shëndetit mendor edhe më së shpeshti mund të ndodhë në rastet kur një mjek tjetër i përgjithshëm, si një mjek familjar, një specialist kardiovaskular, një internist mund të referojë si një nevojë për një bashkëbisedim për çlirim emocional edhe psikologët në këtë rast. Por kam përshtypjen që trendi në përgjithësi edhe në nivel global, kjo mosha 18+, që më së shumti dhe më së shpeshti kërkojnë shërbime të shëndetit mendor prej profesionistëve”, ka deklaruar profesoresha Agani.
Alarmin për mungesë ndaj shërbimeve për persona të moshës së pensionit e që vuajnë edhe nga sëmundje psikike e ngre edhe neuropsikiatri Rexhepi.
“Mandej mungojnë institucionet të cilat do të përkujdeseshin për persona që kanë probleme të shëndetit mendor e i kanë më tepër se 65 vjet, shtëpitë e pleqve nuk i pranojnë personat që kanë probleme të shëndetit mendor. Por ne nuk kemi institucion që do të merrej me këtë kategori të popullatës, mbi 65 vjet edhe me probleme të shëndetit mendor”, ka thënë Rexhepi.
Organizata Botërore e Shëndetit ka dalë me disa rekomandime për shërbimet e shëndetit mendor. Mes tjerash është kërkuar që ato të jenë të deinstitucionalizuara dhe të fokusohen në komunitet, ku individi nuk izolohet.
Shembull të ngjashëm ndjek edhe Qendra për Shëndet Mendor në Prishtinë. Ajo shërben si qëndrim ditor për klientët, ku i ofrohet edhe një shujtë, aktivitete psiko-edukuese e madje edhe rekreative.
Kjo qendër, sipas drejtorit Rexhepi, qëndron e hapur nga mëngjesi deri në orën katër të pasdites. Klientët hyjnë e dalin lirshëm nga ky institucion.
“Qëllimi ynë është funksionalizimi i tyre. Me funksionalizimin e tyre, qëllimi është që riacarimet të cilat janë shumë normale, sepse është fjala për një sëmundje kronike, me qenë sa më të rralla, më të shkurtra, ashtu që personi ta ndiejë kualitetin e jetës, ta ndiejë veten si dikush që është i dobishëm, ta ndiejë veten si anëtarë të kësaj shoqërie, jo si një pjesë e popullit me një geto”, ka thënë ai.
Përpos qëndrimit ditor, profesionistë të kësaj qendre kryejnë edhe vizita në terren te familjet e klientëve të tyre.
“Kur shkojmë në vizita shtëpiake qëllimi ynë është edhe t’i vlerësojmë raportet në mes anëtarëve të familjes. Cilat janë forcat kohezive, cila është mënyra më e mirë që t’i motivojmë familjarët që të merren më shumë me personin, që të mos ndihet i lënë anash, barrë apo si i tepërt”, ka treguar më tej Rexhepi.
Drejtori i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), Bind Skeja, ka thënë që pikërisht shërbimet në komunitet janë ideale për personat me probleme psikike. Ai kundërshton mbajtjen e pacientëve brenda institucioneve të ndryshme që ofrojnë shërbime të shëndetit mendor.
“Ka pasur raste që janë identifikuar që kanë qëndruar me muaj të tërë disa edhe me vite, për shkak se nuk dinin ku t’i dërgonin, do të thotë vinte dikush të merrte shërbim dhe personi cilësohej nga psikiatri që mund të kthehet në komunitet, por për shkak se nuk ka pasur politika që t’i ndihmojë që të kthehet, nuk ka pasur punësim, banim, ka mbetur totalisht pa mjete financiare. Këtu kontribuon edhe marrja e zotësisë e veprimit, për shkak se në ato raste familjari mund të shkojë dhe të ta shesë pronën pa pëlqimin tënd, këto raste janë shumë evidente. E kemi rastin e Shtimes që ata me vite të tëra, pjesën më të madhe të jetës së tyre po e kalojnë në psikiatri, brenda mureve të qendrës në Shtime, që OBSH ka rekomanduar të mbyllet. Pra, çdo ditë që dërgojmë njerëz aty ose çdo ditë që kalon dhe vazhdojnë të mbahen aty pa vullnetin e tyre, ne edhe nuk po tentojmë t’i gjejmë zgjidhje komunitare dhe po ua shkelim të drejtat bazike jetësore”, ka deklaruar Skeja.
Profesionistët e kësaj fushe kërkojnë reformim të sistemit të dhënies së shërbimeve të shëndetit mendor, rregullim e mbikëqyrje të shërbimeve që ofrohen në privat, si dhe shmangien e praktikave që ata i konsiderojnë të gabuara.
“Nëse nuk kemi politika për t’i strehuar personat që kërkojnë ndihmë për shëndet mendor, që janë të pastrehë apo politika për t’i punësuar. Jo për t’u punësuar që të eksploatohen nga ndonjë biznes, por të punësohen në ndonjë kooperativë për shembull, atëherë gjithmonë do të kthehemi në pikën zero dhe nuk do kemi ku t’i dërgojmë këta njerëz, vetëm kemi për ta mbushur Klinikën e Psikiatrisë, por edhe Qendra për Shëndet Mendor, qysh edhe po ndodh. I kemi vizituar QSHM-të edhe klinikat psikiatrike dhe kemi parë që personat që kërkojnë këto shërbime janë personat që janë duke marrë asistencë sociale, kjo vetëm sa na e dëshmon që këto shërbime po dështojnë sa i përket rehabilitimit”, ka shtuar Skeja.
Për mënyrën se si janë të rregulluara qendrat për shëndet mendor, ka kritika edhe neuropsikiatri Rexhepi. Ai tha se ekziston rreziku që këto shërbime në të ardhmen të riinstitucionalizohen.
“Ne jemi pjesë e SHSKUK-së, ideja ka qenë apo një luftë për të cilën jam i gatshëm të hyj është që ky shërbim të jetë unik në nivel të Kosovës. Kur është unik, atëherë të gjitha qendrat e kemi të njëjtën mënyrë të punës, i krijojmë dokumentet zhvillimore të njëjta. Tash është dalë ideja që të jemi pjesë e spitaleve rajonale, ajo në njëfarë mënyre do ta shkatërronte shpirtin e shëndetit mendor në komunitet. Shëndeti mendor në komunitet dallon shumë nga shëndeti mendor në shërbimet spitalore. Ata merren me rastin akut, e trajtojnë dhe e lëshojnë, ndërsa e jona është që të vazhdojmë t’i përcjellim, të përkujdesemi”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa Bind Skeja vë në dukje mungesën e shtrirjes së këtyre shërbimeve edhe në zona më periferike të Kosovës.
“Mirë të organizuara nuk janë, për shkak se ideja e shërbimeve komunitare është që të punosh në komunitet. Është e pamundur të punohet në komunitet kur jeni në Ferizaj e që në hartën rajonale e ke edhe Hanin e Elezit, duhen dy orë rrugë për të shkuar, dy orë për t’u kthyer, do të thotë edhe efektiviteti pritet totalisht për shkak se nuk jeni në terren”, ka deklaruar drejtori i QIPS-it.
Për psikologen Natyra Agani problem është mungesa e mekanizmave institucionalë që rregullojnë, mbikëqyrin dhe vlerësojnë punën e psikologëve.
“Duhet një ofrim më i madh i komunitetit të specialistëve të psikologjisë klinike dhe një përpjekje më e madhe për krijimin e odës së psikologëve klinikë. Në të kundërtën vërtet ekziston mundësi që të mos ofrohen shërbimet më adekuate dhe më cilësore për njerëzit që kanë nevojë. Deri në themelimin e odës së psikologëve gjykoj që jemi më shumë në një improvizim profesional e jo domosdo të një ofrimi të ekspertizës specifike për njerëzit në nevojë”, ka thënë Agani.
E sociologia Erisë Hajziri ka përmendur tranzicionin kulturor që po e përjeton shoqëria kosovare. Ajo ka thënë që familjet shumanëtarëshe që dikur ishin më të zakonta kanë ofruar më shumë socializim e mbështetje për familjarin e saj.
“Kjo shumicën e kohës i bie se ka mungesë socializimi, në sociologji i themi çdo njeri ose çdo qenie sociale kalon nëpër disa faza të socializimit, të cilat janë shumë të rëndësishme për t’i dhënë kuptim jetës sociale, në mungesë të socializimit dhe hapësirave për socializim dhe t’i japin kuptim qenies individuale shumicën e kohës individët mbyllen ose izolohen, nëse nuk izolohen fizikisht, sepse secili kemi detyra institucionale. Fëmijët shkojnë në shkollë, prindërit në punë apo me punë të shtëpisë, megjithatë kjo nuk i bie që nuk jemi të izoluar ose që nuk komunikojmë me njëri-tjetrin. E mira ose e keqja e transformimit post-modern e bie edhe këtë ftohtësinë sociale me njëri- tjetrin dhe mendoj që kjo ka ndikuar edhe tek të rinjtë edhe te plot njerëz të tjerë dhe duhet t’i kushtohet shumë rëndësi e të flitet të mos stigmatizohet si një problem i rëndomtë, por është një problem i cili ka jetuar, ka për të jetuar dhe do të jetoj gjithmonë përbrenda shoqërive”, ka thënë sociologia Erisë Hajziri.
KOHA ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë nëse janë ndërmarrë veprime institucionale për t’u dhënë zgjidhje problemeve të ngritura nga ekspertët, por nuk ka marrë përgjigje.
Përpos reparteve të psikiatrisë në spitalet rajonale dhe qendrat e shëndetit mendor, ekzistojnë edhe institucione ku të sëmurit mendor mbahen për shumë vjet, të tilla janë qendrat në Shtime, në Fushë-Kosovë dhe Drenas.