Lëvizje të qytetarëve dhe biçiklistëve, duke shtuar edhe gjelbërim, kjo është pamja që pritet ta marrë rruga “George Bush”.
Komuna e Prishtinës po parasheh që ta vazhdojë sheshin deri te Katedralja.
Përderisa ata për këtë plan janë duke punuar intensivisht dhe ka qytetarë që po e pëlqejnë si ide, në anën tjetër, ka të tjerë që mendojnë se është i panevojshëm zgjerimi i sheshit.
Ideja e projektit nisi që nga qeverisja Ahmeti derisa qeverisja Rama në
bashkëpunim me Bankën Botërore ka angazhuar kompaninë “SuperWien” për realizimin e projektit.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, thotë se ky plan ende nuk është final, pasi duhet ende punë për t’u bërë.
“Qëllimi është të kemi sa më shumë sheshe, hapësira për këmbësor, sa më shumë me pas lëvizje të biçikletave, sa më shumë me pas hapësira gjelbëruese. Andaj një prej projekteve është pjesa e sheshit, po mendohet të vazhdohet të rritet, deri te pjesa e Katedrales. Nuk është finale, ne jemi ende duke punuar në pjesën e disa elementeve teknike, jemi duke shkëmbyer edhe disa të dhëna. Gjithsesi do të ketë edhe 2-3 punëtori para se të merret vendimi final, mirëpo si ide është përkrahur nga të gjithë”, tha Musliu.
Plani për shndërrimin e kësaj rruge në shesh, lidhet edhe me planin e unazës njëkahore.
“Lidhet me konceptin e kryetarit Rama siç ka të bëj me unazën njëkahore, unaza e brendshme. Gjithashtu edhe pjesa e projekteve të tjera andaj po mendojmë se është në përputhje me konceptin tonë si komunë, andaj po mendojmë që shumë shpejt edhe me filluar. Gjithsesi është çështje kohe sepse duhet disa të dhëna teknike me i shkëmbye, por gjithashtu na duhet edhe 2-3 punëtori të tjera deri në vendimin final. Por mendojmë që është një projekt i qëlluar dhe do të gjej edhe zbatim”, tha Musliu.
Por të premten testi i qendrës njëkahore krijoi tollovi e zhurmë në qytet.
Testimi u bë edhe të shtunën dhe të dielën ku pati më pak tollovi.