Me ngritjen e temperaturave, sheshet e Prishtinës mbushen me njerëz.
Janë shitësit ambulantë ata që përfitojnë më së shumti nga kjo.
Por ka mbi një muaj që shumë nga ta nuk janë pajisur me leje nga Komuna e Prishtinës e në këtë mënyrë nuk kanë mundur të zhvillojnë punën nga e cila mbajnë edhe familjarët e tyre.
Për këtë arsye, mëngjesin e së premtes ata u pritën në takim nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Pas takimit, përfaqësuesit e shitësve ambulantë në shesh thonë se kryetari Rama u ka premtuar që do t’u rikthehet leja përsëri.
Sipas Enver Makollit, Rama iu ka premtuar edhe vendosjen e kiosqeve të reja për ta.
“Shitësit ambulantë na ka thënë prapë të punojnë deri të bëhen kiosqet e reja. Si të bëhen kiosqet e reja do të na lajmërojnë dhe t’ua lirojmë vendin atyre të rejave. Për momentin nuk kanë punuar 1 muaj ditë dhe prej sot do të vazhdojnë edhe ata punë që mos me qëndru pa punë”, thotë Makolli.
Sipas shitësit ambulant, Muharrem Abdullahu, pas ardhjes së tezgave të reja, ata do të zhvendosen në skaje të sheshit.
“Për momentin do i kemi lejet, do nuk i kemi. Kryetari na ka jep fjalë të mira se do na jep leje përkohësisht. Ato leje do na jep deri të vendosen tezgat e reja. Do na largojnë pak prej sheshit për të mos pasur probleme as na, as ata. Besoj që kryetari do të na bëjë një zgjidhje të mirë, jo bash qysh jemi tash, që mos t’u pengojmë as qytetarëve, as ata neve”, thotë Abdullahu.
Operimi i shitësve ambulantë në shesh shihet në kënde të ndryshme nga qytetarët.
KOHA nuk ka arritur të marrë një prononcim nga Komuna e Prishtinës mbi planin që ka për operimin e shitësve ambulantë në shesh.
Ndryshe, largimi i shitësve ambulantë të cilët operonin pa leje në sheshet e Prishtinës ishte edhe veprimi i parë që ndërmori kryetari Përparim Rama sapo erdhi në pushtet.