Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shkollat në pritje të katalogut nga MASHTI, paralajmërohen pasoja nëse vonohet

libra

Foto: Arkiv

Ndonëse viti shkollor ka përfunduar, komunat ende nuk kanë marrë katalogët e teksteve për vitin shkollor 2026/2027. Disa nga drejtoritë Komunale të Arsimit kanë paralajmëruar se vonesat në dorëzimin e tyre mund të ndikojnë në procesin e përzgjedhjes së teksteve dhe në subvencionimin e prindërve për blerjen e librave

Katalogu për tekstet për vitin shkollor 2026/2027 ende nuk u është dërguar komunave nga Ministria e Arsimit, ndonëse procesi mësimor ka përfunduar të premten, më 19 qershor.

Edhe këtë vit pajisja e nxënësve në nivelin fillor me tekste shkollore do të bëhet përmes subvencionimit, por janë shprehur shqetësime se ky proces mund të ketë vonesa për shkak të mungesës së katalogut shkollor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këta katalogë ishte paraparë të dorëzoheshin javën e kaluar, por sipas Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Ferizaj, kjo nuk ka ndodhur ende.

“Akoma nuk i kemi marrë këta katalogë dhe po presim edhe këto dy-tri ditë të kësaj jave. Nga java e ardhshme, siç dihet, një pjesë e madhe e komunave në fund të javës së ardhshme, në njëfarë forme, shkojnë në pushim, të gjithë mësimdhënësit, kështu që deri kah mesi i gushtit pastaj ne nuk i kemi mësimdhënësit në proces”, ka thënë Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj.

Sipas tij, vonimi i këtij procesi mund të sjellë vonesa edhe në fillimin e vitit të ri shkollor.

Edhe drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, thotë se kjo është java e fundit kur komunat duhet të pajisen me listën e teksteve shkollore.

“Është kohë ideale tani, për arsye se edhe mësimdhënësit deri më 15 korrik duhet të paraqiten në shkollë për planet e tyre për zgjedhjen e librave të mundshëm. Kështu që, nëse dorëzohen në këtë kohë, është koha ideale për t’i përzgjedhur dhe për të vazhduar tutje me implementimin e pagesave”, ka thënë Fetahu.

Ai ka thënë se këtë vit mund të ketë ndryshime për nivelet e financimit për tekstet shkollore.

Ndërsa eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj, thotë se shqetësimet në nivel komunal janë të arsyeshme, pasi shton se procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore kërkon kohë dhe nuk është aq i thjeshtë.

“Sigurisht do të ketë vonesa dhe kjo do ta vështirësojë procesin e përzgjedhjes së teksteve mësimore, pasi kemi edhe tekste alternative dhe për aktivet profesionale të shkollave kjo kërkon kohë shtesë që tekstet të analizohen me kujdes dhe të përzgjidhen varësisht nga cilësia e tyre. Pasi tekstet shkollore nuk i plotësojnë të gjitha karakteristikat, si ato shkencore, pedagogjike, metodologjike apo teknike, mësimdhënësve u nevojitet kohë që këto zbrazëti t’i plotësojnë duke i zëvendësuar me materiale të tjera shkollore”, ka thënë Salihaj.

Salihaj ka theksuar se MASHTI duhet të heqë dorë nga subvencionimi i prindërve për tekstet shkollore për shkak të kostos së lartë që i kushton buxhetit të shtetit dhe problemeve që janë paraqitur në këtë proces.

KOHA i është drejtuar Ministrisë së Arsimit me pyetje se kur pritet të dorëzohen katalogët e teksteve për drejtoritë komunale të Arsimit, por gjatë së martës nuk ka marrë përgjigje.