Arbëri

Shoqëria civile: Kushtetuesja tha se e drejta për propozim të kryekuvendarit s’është absolute e fituesit

Albin Kurti ne foltoren e Kuvendit te Kosoves ne seancen e shqyrtimit te projektbuxhetit

Foto: Driton Paçarada

52 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar duke thënë se bllokada institucionale po e cenon rendin demokratik në Kosovë.

Në reagimin e tyre thuhet se vakumi institucional ka penguar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen demokratike të Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve urgjente që prekin jetën e qytetarëve.

Sipas reagimit të tyre aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese rikthen qartësinë procedurale.

“Në këtë kontekst, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26 qershor 2025 (rasti KO124/25) ishte një ndërhyrje e domosdoshme për të adresuar paqartësitë procedurale dhe për të përcaktuar qartë kufijtë kushtetues dhe rregullat e konstituimit të Kuvendit. Gjykata ritheksoi se kjo procedurë është e sanksionuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, dhe praktikat parlamentare të konsoliduara ndër vite – dhe çdo devijim nga to përbën shkelje të rendit kushtetues”, thuhet në reagim.

Sipas tyre gjykata ka theksuar se “partia fituese e zgjedhjeve ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë nuk është absolute – ajo është e lidhur ngushtë me detyrimin për të ndërtuar shumicë përmes bashkëpunimit me grupet tjera parlamentare”.

Ata kanë thënë se kryesuesi i seancës, deputeti i Vetëvendosjes , Avni Dehari, ka devijuar nga rendi i dakorduar i ditës.

"Takimi i datës 8 prill 2025, i mbajtur mes Kryetarit të Kuvendit të legjislaturës së kaluar dhe përfaqësuesve të partive politike, ka shërbyer si bazë për përgatitjen e seancës konstituive. Ai përcaktoi qartë rendin e ditës dhe nuk parashihte votim të fshehtë. Çdo veprim në kundërshtim me këtë marrëveshje është jokushtetuese, dhe si e tillë përbën shkelje të parimeve të besimit të ndërsjellë dhe të praktikës parlamentare. Megjithatë, z. Avni Dehari, si Kryesues i seancës, ka devijuar nga rendi i dakorduar, ka shtyrë procedurat, ka propozuar një komision për votim të fshehtë pa bazë ligjore dhe ka lejuar përbërjen e tij pa përfaqësim adekuat të partive të tjera parlamentare. Kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në procedurën e konstituimit të Kuvendit, si dhe është cenuar parimi i përfaqësimit të drejtë parlamentar, duke e shndërruar këtë proces në një veprim njëpartiak dhe jo-konsensual”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se me veprimet e tij, Dehari nuk ka qenë lehtësues i procesit demokratik, por është shndërruar në instrument të bllokadës. “Ai ka shkelur parimin e neutralitetit që i kërkohet një kryesuesi të seancës konstituive”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Kuvendi duhet të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor. “Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ishte e qartë se votimi për Kryetarin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë në çdo seancë tjetër konstituive deri më tash. Përpjekja për të imponuar një votim të fshehtë përmes mjeteve të njëanshme është precedent i papranueshëm dhe cenues i integritetit të procesit”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se krahasimi me votimin për nënkryetarët është i pabazë. Rregullat për nënkryetarët thuhet se burojnë nga nevoja për përfaqësim politik dhe etnik, ndërsa zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit thuhet se është akt i vullnetit politik që kërkon konsensus dhe marrëveshje.

“Gjykata ka bërë të qartë se si partia fituese, ashtu edhe partitë e tjera duhet të bashkëpunojnë në mirëbesim për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit. Shkelja e këtij parimi është shkelje e frymës së Kushtetutës”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit bllokada është duke u thelluar.

“Më datë 28 qershor 2025, në vazhdimin e seancës konstituive, u shkel qartazi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Përmes instrumentalizimit të Kryesuesit, Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po refuzon bashkëpunimin, por po zvarrit qëllimisht procesin për të imponuar një zgjidhje të njëanshme – veprim ky drejtpërdrejt kundërkushtetues. Janë tashmë 39 tentime të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – 39 herë që seanca është kthyer në skenë të manipulimit procedural dhe të interesave të ngushta partiake e personale, për shkak të një qasje obstruksioniste. Deputetëve po u mohohet e drejta për të ushtruar funksionin e tyre, ndërsa qytetarët po mbeten pa përfaqësim funksional”, thuhet në reagim.

Ata kanë bërë thirrje për përgjegjësi dhe rikthim të funksionalitetit.

“Kuvendi nuk është pronë e askujt. Ai nuk mund të mbahet peng nga vullneti i një subjekti të vetëm politik. Demokracia kërkon funksionim, respekt të procedurave, dhe vullnet për kompromis. U bëjmë thirrje të gjitha partive politike, e në veçanti partisë fituese, që të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe të mundësojnë zhbllokimin e procesit. Kuvendi duhet të kthehet në funksion – për të miratuar ligje, për të mbikëqyrur qeverinë dhe për të përfaqësuar interesin qytetar”, thuhet në reagim.

Organizatat mbështetëse të reagimit (renditja sipas alfabetit)

Advocacy Training & Resource Center (ATRC)

Asociacioni i Mediave të Pavaruara Elektronike të Kosovës (AMPEK)

Balkan Green Foundation (BGF)

CEL Kosova

Center for Eduction and Community Development-Friends

Community Building Mitrovica (CBM)

Community Development Fund (CDF)

Democracy Plus (D+)

Demokraci për Zhvillim (D4D)

Fondacioni Lumbardhi

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)

GERMIN

Grupi për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG)

Hyjneshat

Iniciativa për Progres (INPO)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti Edutask

Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI)

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)

Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED)

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)

Instituti Sekhmet

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF

Kosovar Youth Council

K-Ë4Ë

Leadership Development Association Europe

Lëvizja FOL

Neë Social Initiative (NSI)

NGO AKTIV

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë

OJQ Activism Roots

OJQ EC Ma Ndryshe

OJQ EcoZ

OJQ Gjethi

OJQ Politeia

OJQ PONTIS

OJQ Pishtarët

Organizata ÇOHU!

Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike (ACDC)

Qendra Për Politika dhe Avokim (QPA)

Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD

Qendra Sociale SËOK Kosova

QIKA

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Rrjeti i OJQ-ve AVONET

Rrjeti Qeliza

SHL - Kosova

Syri i Vizionit