Arbëri

SHSKUK-ja emëron drejtues të Kardiokirurgjisë mjekun që e bojkotoi punën më 2021

Një javë pas raportimeve për vdekjen e një pacienti pasi i ishte nënshtruar një operacioni të rrallë 10-orësh në Klinikën e Kardiokirurgjisë, që u parapriu akuzave e kundërakuzave mes drejtorit të kësaj klinike dhe kardiokirurgut operator, SHSKUK-ja ka shkarkuar drejtuesin e Klinikës, Rifat Brahimaj. Në vend të tij ka caktuar Shpejtim Shurdhiqin, që më 2021 e kishte bojkotuar punën për shkak të pakënaqësive me menaxhmentin.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka liruar të enjten nga posti i ushtruesit të detyrës së drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimajn, një javë pas raportimit në media për kryerjen e një operacioni të rrallë në këtë klinikë, e që përfundoi me vdekjen e pacientit disa orë më vonë. Kjo u parapriu akuzave e kundërakuzave mes Brahimajt dhe kardiokirurgut operator, Kushtrim Shala.

Të dy kishin kontestuar aftësitë dhe përvojën e njëri-tjetrit.

Përmes një komunikate, SHSKUK-ja të enjten bëri të ditur se në krye të Klinikës së Kardiokirurgjisë është vendosur doktori Shpejtim Shurdhiqi.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se pas analizës së situatës së fundit në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, është liruar nga detyra e ushtruesit të detyrës së drejtorit dr. Rifat Brahimaj. Ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QKUK është caktuar dr. Shpejtim Shurdhiqi”, njoftoi SHSKUK-ja.

Shurdhiqi, së bashku me tre kardiologë të tjerë sa ishte specialist, në maj të vitit 2021, pati bojkotuar punën pas pakënaqësive që kishte me menaxhmentin e Klinikës së Kardiokirurgjisë. Atëkohë pati pretenduar se po i bëhej presion dhe se ishte ofenduar. Për këtë e pati njoftuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Burime në Ministrinë e Shëndetësisë i patën thanë KOHËS në vitin 2021 që refuzimi i trajtimit të pacientëve i ishte konfirmuar ministrit Vitia edhe në takimin që pati zhvilluar ai disa ditë më pas me këtë grup mjekësh.

Këta mjekë bojkotonin të kryenin të gjitha shërbimet, përveç rasteve emergjente.

Sipas burimeve të KOHËS, ministri Vitia u kishte thënë atyre se kjo paraqet vepër penale dhe nëse nuk fillojnë punën do të detyrohej të dërgonte rastin në organet e hetuesisë.

KOHA gjatë ditës së enjte nuk ka arritur të kontaktojë me doktorin Shpejtim Shurdhiqi, e në SHSKUK kanë thënë se nuk kanë pranuar asgjë nga Prokuroria për rastin.

“SHSKUK nuk ka informatë zyrtare nga Prokuroria se doktori specialist i caktuar si u.d. drejtor është nën hetime!”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Në këtë institucion nuk kanë treguar nëse rasti i Shurdhiqit kishte kaluar në Komision disiplinor.

E Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje ka thënë se për të gjitha duhet të sqarohet SHSKUK-ja.

“Bordi i SHSKUK-së konform kompetencave ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me vendimet e marra nga menaxhmenti i SHSKUK-së për Klinikën e Kardiokirurgjisë, lidhur me detajet e tjera luteni që pyetjet e juaja t’i adresoni në SHSKUK”, ka thënë MSH-ja.

Ministria nuk ka treguar nëse Vitia kishte proceduar bojkotin në Prokurori pas takimit që kishte zhvilluar me kardiokirurgët.

Lidhur me rastin, KOHA ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore dhe Policinë, por gjatë së enjtes nuk ka marrë përgjigje nga asnjëri institucion.

Ish-drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, ka refuzuar të komentojë emërimin e Shudhiqit në pozitën e tij.