Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se ka marrë vendim të menjëhershëm që në të gjithë territorin e Kosovës të fillojë një aksion i jashtëzakonshëm i inspektimeve, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Vendimi është marrë pasi të hënën vdiq një punëtor 59-vjeçar në Ferizaj. Është vdekja e shtatë në vend të punës këtë vit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo gjendje nuk mund të injorohet më. Kam marrë vendim të menjëhershëm dhe të qartë. Në të gjithë territorin e Kosovës do të fillojë aksion i jashtëzakonshëm i inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, veçanërisht në ndërtimtari. Çdo kompani që s’garanton kushte bazike të sigurisë, do të ketë ndalim të menjëhershëm të punimëve. Do të ndëshkohet sipas ligjit. E nuk do t’i lejohet të vazhdojë punën derisa t’i plotësojë standardet”, ka thënë Hoti nëpërmjet një video-adresimi të publikuar në Facebook.
Ai ka thënë se do të organizohen inspektime në dy ndërrime e po ashtu edhe me orare të zgjatura e edhe gjatë festave.
Sipas vendimit, ky aksion i inspektimeve do të zgjasë për 15 ditë.
“Ndërsa në muajt në vijim do të marrim masa shtesë për ta forcuar sistemin. Do ta rrisim kapacitetin e inspektimeve me staf shtesë. Do të fillojmë përdorimin e mjeteve moderne si kamera të trupit e po ashtu monitorim në terren me atë të dronëve. E dimë rëndësinë e bizneseve për ekonominë tonë, por mbi çdo biznes e mbi çdo fitim është jeta e qytetarit. Siguria nuk është opsion, është detyrim ligjor”, tha Hoti.
Ai u ka bërë thirrje kompanive të mos e shohin sigurinë e punëtorëve si kosto shtesë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë për çdo shkelje.
Sipas vendimit Inspektorati i Punës do të publikojë çdo 48 orë numrin e inspektimeve të realizuara e të masave të shqiptuara.
Do të formohet task-forcë e përkohshme ndërinstitucionale për sigurinë dhe shëndetin në punë në sektorin e ndërtimtarisë. Në task-forcë do të jenë nga Inspektorati i Punës, Policia e Kosovës dhe institucionet relevante.