Arbëri

Shteti hesht për shembjen e gurëve në rrugën në Orllan

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar edhe shembjen e gurëve në rrugën rajonale Lluzhan-Orllan të Komunës së Podujevës.

Deri tash askush nuk i ka hequr këta gurë që në disa vende e kanë zënë pothuajse njërin shirit.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se kjo rrugë është në përgjegjësinë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë.

“Për shembjen e gurëve në rrugën e Orllanit, Komuna e Podujevës e ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila edhe është përgjegjëse për mirëmbajtjen e kësaj rruge. Shembja e gurëve ka ndodhur për shkak të motit me shi ditëve të fundit dhe si komunë kemi intervenuar ku ka pasur probleme të ngjashme që janë shfaqur në rrugët të cilat i mirëmban Komuna e Podujevës. Ne presim nga MMPHI-ja që shpejt të intervenojë në këtë rrugë dhe të mundësojë qarkullimin e lirshëm për qytetarët”, ka thënë për KOHËN, Fatri Zhiti, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Ndërkohë, zyrtarët e MMPHI-së nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me shembjen e gurëve.