Të panevojshme e ka konsideruar opozita në Fushë-Kosovë themelimin e drejtorive të reja në këtë komunë. Përfaqësues të PDK-së dhe të LVV-së konsiderojnë se shtimi i dikastereve është bërë vetëm për pazare politike. Sipas tyre, deri tash puna e këtyre drejtorive është inekzistente dhe se ekzekutivi nuk ka ndarë as buxhet për to. E zyrtarët komunalë nuk janë përgjigjur lidhur me akuzat e opozitës
“Drejtori pazaresh”e kanë quajtur opozitarët në Fushë-Kosovë themelimin e dikastereve të reja në këtë komunë.
Përfaqësues të PDK-së dhe të LVV-së konsiderojnë se themelimi i tyre ka qenë i panevojshëm dhe se këto drejtori nuk pritet ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Sipas tyre, pos drejtorëve që janë emëruar, asnjë punë deri tash nuk është kryer.
“Që prej iniciativës, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar themelimin e drejtorive të reja për faktin që qeverisja komunale punon pak për mos të thënë fare hiç dhe nuk ka nevojë që të shtohen dikastere të reja, përderisa nuk kryhen punët në këto dikasteret të cilat janë. E dyta është, sepse këto drejtori nuk kanë qenë as me premtimet elektorale, me planin qeverisës të partisë në pushtet dhe e kemi konsideruar se nuk është e nevojshme të zgjerohen dikasteret më shumë”, ka thënë Durim Hajra, shef i Grupit të kuvendarëve të LVV-së në Fushë-Kosovë. “Ne kemi qenë në dijeni se kjo iniciativë ka qenë për pazare politike, për interesa partiake e grupore, për të mos thënë edhe për interesa të individëve të caktuar, të cilëve kryetari iu ka premtuar se do t’i ngarkojë me përgjegjësinë e drejtorive”.
Shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë, Mirsad Qyqalla, ka thënë se Komuna nuk ka bërë asnjë analizë apo studim nëse është e nevojshme themelimi i këtyre drejtorive.
“Ne si opozitë edhe kur ka ardhë vendimi për themelimin e tri drejtorive të reja kemi qenë kundër, sepse kemi qenë të bindur që këto tri drejtori janë rezultat i pazareve politike që kanë qenë në kohë fushate, ka theksuar Mirsad Qyqalla. “Dhe fatkeqësisht tash e një vit janë emëruar vetëm dy drejtorë nga ato tri drejtori që janë themeluar dhe koha na e ka dëshmuar se ne kemi pasë të drejtë, sepse puna e tyre pothuajse nuk
vërehet fare. Kjo vërehet edhe përmes ndarjes së buxhetit që këto drejtori nuk kanë fare buxhet dhe kjo edhe një herë e dëshmon se argumenti jonë ka qenë i drejtë”.
KOHA ka kontaktuar nënkryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, për të pyetur nëse është bërë paraprakisht ndonjë analizë për nevojën e themelimit të këtyre drejtorive dhe se cili do të jetë ndikimi i tyre në jetën e qytetarëve. Por ai është arsyetuar se është në një takim dhe se nuk mund të flasë. Përgjigje nuk ka kthyer as pasi pyetjet i janë dërguar me shkrim.
Vitin e kaluar Komuna e Fushë-Kosovës pati tentuar që me vendim të themelojë Drejtorinë për Infrastrukturë, atë për Pronë dhe Drejtorinë për Teknologji, Inovacion dhe Integrime Evropiane. Por iniciativa doli e pasuksesshme, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e vlerësoi të kundërligjshme. Më vonë shtimi i drejtorive u mundësua me ndryshimin e një rregulloreje për çka sivjet u themeluan dy nga këto tri drejtori. Ato ende nuk figurojnë në ueb-faqen e Komunës.