Komuna e Shtimes gjatë këtij viti nga buxheti qeveritar ka përfituar së paku tri projekte madhore me vlera milionëshe.
Përveç projektit për rregullimin e shtratit të lumit Shtimjanja në vlerë prej 5.5 milionë euro, sivjet pritet të nisë edhe projekti për ndërtimin e objektit të Entit Special në vlerë prej 8 milionë euro dhe projekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në vlerë prej një milion e 250 mijë eurosh.
Për konfirmim të këtyre projekteve, ndërkohë kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ka pritur drejtues të institucioneve qendrore në Shtime.
Së fundi në Shtime ishte edhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia i cili konfirmoi se sivjet do të nisë ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtime në vlerë prej një milion e 125 mijë eurosh.
“Qytetarët e Shtimes në të ardhmen do të kenë shërbime shumë më cilësore. Me kryetarin Aliu, biseduam edhe për dy projekte me rëndësi, siç janë ndërtimi i Entit Special dhe i QKMF-së në këtë komunë, projekte të cilat do të jenë në fokusin tonë dhe prioritete si Ministri e Shëndetësisë”, ka thënë Vitia.
Ndërkaq, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, është zotuar se sivjet do të nisin punimet në këto projekte të rëndësishme për qytetarët.
“Objekti i ri i Entit Special përveç që do të plotësojë kushtet e nevojshme infrastrukturore, gjithashtu do të zhvendoset në një lokacion tjetër dhe hapësirë për trajtim adekuat shëndetësor. Zhvendosja e Entit Special ka qenë ndër zotimet kryesore të programit tonë qeverisës, ndërsa ne mbesim të përkushtuar në përmbushjen e secilit zotim”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, një tjetër projekt mjaftë madhor po vjen në Shtime. Lumi “Shtimjana” është pasuri natyrore që e zbukuron e hijeshon peizazhin e qytetit tonë. Fatkeqësisht, kjo bukuri natyrore është venitur nga mungesa e mirëmbajtjes e kujdesit të duhur. Një investim i tillë prej 5.5 milionësh që do të nis këtë vit, është mëse i nevojshëm për ta shndërruar lumin në atraksion tërheqës. Në bashkëpunim e koordinim me nivelin qendror, ky do të jetë viti i fillimit të realizimit të projekteve madhore për Komunën e Shtimes”, ka thënë ndërkohë Aliu.
Ndërkohë zyra për informim në këtë komunë ka njoftuar se niveli qendror kanë dhënë zotime edhe për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së.
“Komuna e Shtimes do të bëhet me Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare të re, projekt i cili do të kushtoj 1.250.000€. Punimet për ndërtimin e QKMF-së do të nisin në fillim të vitit 2023. Me objektin e ri të QKMF-së që do të posedoj infrastrukturën e përshtatshme, qytetarëve do tu ofrohen kushtet e nevojshme të marrjes së shërbimeve mjekësore", thuhet midis të tjerash në njoftimin e komunës.