Arbëri

Shtohen raportimet e rasteve të dhunës, kërkohet seriozitet nga institucionet

Vetëm brenda 24 orëve të fundit, 7 burra të dyshuar për dhunë janë dërguar në mbajtje. Sipas raportit të Policisë Kosovës, shumica e tyre dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike e fizike ndaj grave.

E raportimet e tilla të dhunës në familje janë shpeshtuar kohët e fundit. Deri tash, gjatë këtij viti, janë mbi 1 mijë raste të raportuara të dhunës në familje.

Madje, Policia e Kosovës në faqen e vet zyrtare ka njoftuar se ka arrestuar një person për dhunë në familje, e ka kërkuar ndihmë për arrestimin e një personi që dyshohet për dhunë.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tregon se në Qendrën për ndihmë juridike falas që këta ofrojnë janë shtuar raportimet e grave për dhunë nga bashkëshortët. Por, sipas saj, shumica prej tyre tregojnë se nuk po gjejnë përkrahje nga institucionet përgjegjëse.


“Institucionet duhet të i marrin shumë seriozisht të kenë qasjen e tyre më proaktive në këto raste dhe tu ofrohen të gjitha mundësit dhe siguria për këto raste sepse me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë”, tha Rezniqi.

E gjatë së mërkurës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka sqaruar rastin e një denoncimi të dhunës në familje. Prokurorisë i kanë mjaftuar deklaratat e një ankueseje për dhunë nga bashkëshorti, që ta lërë të lirë burrin të cilin ajo e kishte denoncuar për dhunë në familje.


“Me urdhër të prokurorit kujdestar, janë intervistuar i dyshuari, ankuesja dhe dëshmitari, me ç’rast në deklaratën e dhënë ankuesja ka theksuar ‘kemi bisedu, nuk kemi pas ndonjë problem, më tha shko te familja jote rri ndonjë ditë dhe vjen me më marrë pas disa ditësh, po më tha problem nuk du mem bo në shtëpi, unë i thashë kthehem sërish te ti’", thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Që serioziteti i institucioneve në Kosovë duhet të rritet e thonë edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit, të cilët paralajmërojnë edhe hetim për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj, ashtu siç kishin bërë edhe në raste të tjera.

“Humbja e një jete është e mjaftueshme që të kërkohet llogari para autoriteteve, në raportin e fundit që e ka trajtu çështjen e vrasjes së dyfishtë në Emshir e kemi gjet shkelje dhe kemi kërkuar që të merren masa konkrete dhe kemi marr përgjigje të tyne që ka pasur lëshime”, tha Mark Kaqinari, këshilltar i lartë juridik i Avokatit të Popullit.

Në Kosovë, vitet e fundit, disa nga gratë të janë vrarë nga bashkëshortët kishin denoncuar dhunën në institucionet e drejtësisë, por nuk ishte vepruar konkretisht.

Në nivel vendi deri tani veprojnë 9 strehimore për viktimat e dhunës, që janë të menaxhuara nga organizata të ndryshme. Ministria e Drejtësisë thotë se po e shqyrton mundësinë që ato të kalojnë në kompetenca të tyre.

E, sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2020 kanë qenë 7 vrasje të grave, ndërsa këtë vit dy vrasje.

Viktima e fundit që përfundoi me fatalitet nga dhuna fizike e psikike e ushtruar nga i dashuri i saj së bashku me një shok të tijin është 18-vjeçarja Marigona Osmani nga Komuna e Ferizajt.