Në objektin katër katësh në rrugën “Kollashini” në Mitrovicë të Veriut, ku ishin të vendosura: Instituti për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara, Shoqata Sportive dhe SHKA “Kosova Bozhur”, i cili është mbyllur të enjten nga Policia e Kosovës, janë gjetur simbole e mbishkrime nacionaliste serbe.
Ndër to është edhe një flamur serb i paketuar të cilët i është ngjitur një mesazh ku bëhej thirrje për vendosje të tij në shtëpitë e qytetarëve.
“Në këtë çast i gjithë veriu i Kosovës duhet të stoliset me ‘bajrakun’ serb. Prandaj, në një vend të dukshëm në shtëpinë tuaj, vareni simbolin e shtetësisë sonë - flamurin tonë ashtu që të gjithë botës t’i tregojmë se në cilin shtet jetojmë, për çka po luftojmë dhe sa jemi”, thuhet në mbishkrim”, thuhej në këtë mesazh.

Për mbyllje të Qendrës së Sporteve në Mitrovicë të Veriut, ka shkruar edhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi,
“Qendra e Sporteve në Mitrovicë të Veriut ju kthye institucioneve legale të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komunës së Mitrovicës së veriut. Nga kontrollet e bëra prej autoriteteve të sigurisë shihet qartazi që këto qendra përveç që më së paku kanë qenë sportive, kanë qenë të sponsorizuar nga krimi dhe veçanërisht bizneset e kryekriminelit Milan Radojçiq. I njëjti jo vetëm që është në Listë të Zezë të Thesarit Amerikan, por është edhe autor i sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar Krasniqi.
Të enjten kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë ndërmarrë hapa konkretë për rikthimin e objekteve të uzurpuara nga strukturat ilegale serbe nën menaxhimin legjitim komunal.
“Janë liruar dhe kthyer në administrimin e Komunës: objekti katërkatësh në rrugën Kollashini, ku ishin të vendosura: Instituti për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara, Shoqata Sportive dhe SHKA “Kosova Bozhur”; Muzeu i Qytetit në rrugën Lole Ribar; Qendra Sportive në rrugën Llola Ribar, afër ish-remontit”, ka shkruar Atiq.
Këto veprime sipas tij janë ndërmarrë me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, forcimit të institucioneve lokale, garantimit të një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët, si dhe kthimit të hapësirave publike në shërbim të komunitetit.