Arbëri

S’ka shujta, nxënësit e marrin ushqimin nga shtëpia

Ushqimin e mbajnë në çantë gjatë kohës që janë në orën mësimore.

Sapo të fillojë pushimi i gjatë, ata vendosin shujtat mbi tavolinën e mësimit dhe fillojnë t’i konsumojnë.

Është ky ushqimi që nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës, e marrin nga shtëpia që nga koha kur shujtat që shpërndaheshin nga Komuna e Prishtinës janë ndaluar.

Për shkak të rrezikut nga veturat, fëmijët nga klasa 1 deri në 5 nuk lejohen të dalin nga shkolla gjatë pauzës.

Si shkak i kësaj, disa fëmijë vijnë në shkollë edhe pa ushqim, në harresë apo pamundësi të prindërve për t’u dhënë diçka me vete.

Fahrije Vokrri, mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina” e sheh të nevojshme të rifillojë shpërndarja e shujtave nga ana e Komunës së Prishtinës.

“Shujtat të cilat i ka shpërndarë nga Komuna e Prishtinës kanë qenë shumë të arsyeshme sepse kanë marrë të gjithë fëmijët njësoj dhe të gjithë e kanë pasur kohën e caktuar kur ata janë ulur dhe kanë ngrënë. Ne e dimë që nuk e kemi shumë orarin e gjatë, por për shkak se fëmijët disa qëndrojnë në qëndrime ditore apo qëndrojnë më gjatë në shkollë nuk preferohet të rrinë gjatë pa ushqim. Ne si shkollë i kemi lejuar fëmijët që të marrin gjëra ushqimore që i përgatisin dhe gjatë pushimit të gjatë ata ulën dhe i hanë”, thotë Vokrri.

Të rëndësishme e shumë të nevojshme këtë gjë e sheh edhe mësuesja Valentina Toska, porse thotë që ushqimi duhet të jetë më cilësore se që ka qenë më parë dhe të mos jetë i njëjtë për çdo ditë siç ka ndodhur më parë.

“Meqenëse është klasë e parë, është periudha e fillimit për ta, më e rëndësishme do të ishte që ata të mos ngarkohen edhe me marrjen e ushqimit kur shpeshherë edhe prindërit po harrojnë t’i sjellin. Këta gjatë gjithë kohës e kanë mendjen se si të ushqehen, po mendoj që duhet të ketë ushqim nga komuna por sigurisht të ketë ndryshim gjatë çdo dite, sepse edhe te fëmijët krijohet një monotoni. Nuk lejohet se janë shumë të vegjël, prandaj është e rëndësishme të kenë shujta nga komuna, por siç e ceka më herët, me cilësi sa më të lartë”, tha Toska.

Këshilli i Prindërve i Prishtinës kërkon nga komuna që të ketë një projekt afat gjatë, ku ushqimi që do të shpërndahet të jetë i shëndetshëm dhe jo nga një kifle siç ka ndodhur më parë.

“Në kohën kur ka filluar të shpërndahen shujtat në qeverisjen e kaluar, fillimisht ka shkuar mirë procesi, por pas një kohe, ka filluar të dështojë. Në bazë të përvojës që e di dhe me fëmijën tim, shujtat nuk kanë qenë të njëjta e pastaj fëmijëve ka filluar t’u mërzitet ushqimi i njëjtë. Ato kanë qenë të shpërndara vetëm si kroasante dhe nuk mund të konsiderohet si shujtë. Qeverisja aktuale është mirë që të mendojë për një projekt afatgjatë dhe që do të jetë ushqimi i shëndetshëm”, tha Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve “Qamil Batalli”.

Anëtari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Besnik Dragusha ka kritika edhe për mungesë të ambienteve adekuate në shkolla ku mund të ruhet dhe hahet ushqimi.

“Problemi i menaxhimit është përsëri problem edhe kur merret prej shtëpisë për shkak se ushqimi hahet në ambiente jo adekuate, hahet nëpër klasa. Shkollat në përgjithësi nuk janë projektuar që të kenë edhe hapësirë të ushqimit, ndërsa për pjesën që dalin, të ushqehen jashtë objekteve shkollore është e rëndësishme që inspektorati të merret me to dhe të bëhen kontrollime të rrepta për shkak se aty ushqehen fëmijët. As për freskinë as për cilësinë as pastërtinë se si bëhet ai ushqim”, tha Dragusha.

E pyetur nga KOHA, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Drejtoria e Arsimit është duke shqyrtuar vendimin lidhur me shujtat e nxënësve, porse nuk ka dhënë asnjë informacion më shumë.

Në vitin 2015, me vendim të kryetarit të atëhershëm, Shpend Ahmeti, nisi shpërndarja e kifleve nëpër shkolla ku përfshiheshin kiflet e shpeshherë edhe qumështi e frutat. Kur nxënësit nisën mësimin në distancë në kohë të mbylljes nga pandemia u ndal edhe shpërndarja e shujtave.