Deri në 500 doza të vaksinës anti-COVID administrohen brenda ditës në qendrën e vaksinimit në Skenderaj. Sipas përgjegjësve të vaksinimit në këtë komunë, fluksi i qytetarëve për t’u imunizuar po shtohet, por që nuk ka staf mjekësor të mjaftueshëm për të punuar edhe të dielave
E diela e 5 shtatorit do të jetë e diela e fundit e pushimit për rreth 300 ekipet e vaksinimit në nivel të Kosovës. Nga e diela e javës tjetër, qytetarët do të mund t’u drejtohen qendrave të vaksinimit edhe në fundjava.
Njëjtë do të jetë edhe për stafin në qendrën e vaksinimit në Skenderaj, të cilët thonë se duhet të mbështeten me staf shtesë, në mënyrë që ta përballojnë fluksin e madh të qytetarëve.
Erblina Robelli, mjeke në këtë qendër, ka thënë se ata kenë nevojë për shtim të stafit.
“Do të jetë shumë e vështirë normalisht, pasi që ky proces veç po zgjat dhe do të zgjasë në vazhdimësi, por besoj që do të forcohemi dhe të vazhdojmë vaksinimin edhe në vikend”, ka thënë ajo.
Të premten, në një konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se kanë vendosur që edhe të dielën të vazhdojë procesi i vaksinimit, me qëllim që sa më shumë qytetarë të kenë mundësi që të imunizohen kundër COVID-19.
Edhe përgjegjësit për vaksinimin në Komunën e Skenderajt kanë thënë se procesi po shkon në rregull, tek tërheqin vërejtjen se do ta kenë problem të punojnë edhe të dielave, për shkak të numrit të vogël të mjekëve që kanë.
Osman Veliu, i cili është edhe drejtor i QKMF-së në Skenderaj, ka thënë se pret që javët në vazhdim për këtë çështje të koordinohen me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Gjatë javës do të jemi në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe prej anës sonë ne do të vaksinonim edhe 24 orë po të kishim mundësi, por besoj se do të kemi vështirësi për ta organizuar këtë ka thënë ai.
E qytetarët që të shtunën po prisnin për t’u imunizuar kundër COVID-19, apelojnë për vaksinim.
“Duhet me marrë, dikush po thotë ashtu dikush kështu ama duhet me marrë”, ka thënë njëri nga qytetarët, teksa ka treguar se është i kënaqur me shërbimet që po ofrohen, ndonëse i është dashur të presë disa ditë për të bërë terminin për t’u vaksinuar. “Kjo është diçka më e mirë për ne dhe duhet me e marrë vaksinën”, ka thënë një tjetër qytetar i Skenderajt.
Nga Ministria e Shëndetësisë shkurt kanë thënë se komunat do të ndihmohen me rreth 400 mjekë e infermierë, të cilët do të angazhohen në procesin e vaksinimit
Sipas drejtorit të QKMF-së në Skenderaj, Osman Veliaj, javët e fundit janë përballur me fluks të madh të qytetarëve, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Punon mjekësia familjare që ofron çdo ditë shërbime për qytetarë, kemi edhe rentgenin dhe kjo ka qenë e ngarkuar, sepse infeksionet e mushkërive lidhen direkt me COVID-19”, ka thënë ai.
Ka muaj që kjo komunë ankohet për numër të vogël të mjekëve, si shkak i konkursit të specializimeve dhe ikjes së mjekëve në shtetet perëndimore.
E disa metra larg Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjarë është edhe qendra e kësaj komune. Por, jo të gjithë qytetarët ishin të vetëdijshëm për t’u ruajtur nga infektimi. Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, maska është obligative në grup edhe në ambiente të jashtme. Megjithatë, në sheshin e Skenderajt u panë shumë qytetarë pa maska e të tjerë që e kishin të vendosur në mënyrë të gabuar.
Madje, për dallim nga sheshet e kryeqytetit vërehet një numër më i lartë i zyrtarëve policorë që po gjobisin qytetarët për shkelje të masave anti-COVID, një gjë e tillë nuk është vërejtur edhe në sheshin e Skenderajt të shtunën.
Sipas të dhënave në këtë komunë, gjatë muajit gusht janë realizuar mbi 5 mijë teste rapide për COVID-19, e që numër i lartë i tyre kanë rezultuar pozitive.