Kurti me Mickoskin diskuton bashkëpunimin dypalësh dhe rrugën drejt BE-së

7 o. më parë / 1 kor 2025 16:43
Kurti & Mickoski

Në margjina të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, që u mbajt në Shkup, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Gjatë këtij takimi, Kurti e përgëzoi homologun e tij për organizimin e suksesshëm të samitit dhe e falënderoi për mikpritjen.

“Dy kryeministrat diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, me theks të veçantë në funksionalizimin e dy pikave të përbashkëta kufitare”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Në kuadër të samitit, Kurti dhe Mickoski folën edhe për procesin e integrimit evropian dhe për rëndësinë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili pritet të ndihmojë në përshpejtimin e reformave dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Kurti: BE-ja duhet t’i rrisë fondet, ne t’i përshpejtojmë reformat

8 o. më parë / 1 kor 2025 15:34
Albin Kurti

Foto: ZKM

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar në Samitin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian se ky plan është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar të martën se Kurti ka thënë në Shkup që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për investime të linjëzuara me sigurinë ekonomike të BE-së, derisa tha se Bashkimi Evropian duhet t'i rrisë fondet. Sipas Kurtit, anëtarësimi sa më i shpejt i vendeve në BE lidhet me shtimin e fondeve.

“Plani i Rritjes i BE-së është përgjigjja e duhur për të përshpejtuar reformat. Ne kemi nevojë për investime të linjëzuara me sigurinë ekonomike të BE-së, dhe kemi nevojë për qasje në financim që përputhet si me ambicien tonë për reforma ashtu edhe me progresin tonë demokratik dhe vlerat e përbashkëta. Po, Plani i Rritjes premton më shumë fonde sesa ofron aktualisht IPA, por ne mund të bëjmë më shumë. BE-ja mund dhe duhet t’i rrisë fondet, dhe ne mund dhe duhet të përshpejtojmë reformat”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se vendet që synojnë integrimin duhet të përshpejtojnë procesin e reformave.

Kurti ka folur edhe për çështjen e sigurisë dhe situatën aktuale në botë, ku tha se mirëpret veprimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për parandalimin e Iranin të pajiset me armë bërthamore. Ai tha se lufta në Ukrainë po vazhdon ta kërcënojnë sigurinë evropiane.

“Më lejoni që shkurtimisht të trajtoj në fund çështjet e sigurisë, të cilat janë një parakusht për rritje. Si rajon, ne nuk jemi të izoluar nga peizazhi gjeopolitik global. Lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon të kërcënojë sigurinë evropiane, teksa tensionet në Lindjen e Mesme kontribuojnë edhe më tej në paqëndrueshmërinë globale. Ne mirëpresim veprimin e Shteteve të Bashkuara për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore. Bota është padyshim më e sigurt pa arsenale bërthamore në duart e regjimeve autoritare. Takimi ynë sot vjen vetëm disa ditë pas Samitit të NATO-s në Hagë, ku u riafirmua angazhimi  për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Bruto Prodhimit Vendor. Ne e mirëpresim këtë angazhim. Është një hap i nevojshëm si për të mbrojtur aleancën euroatlantike ashtu edhe për të frenuar regjimet autokratike nga provokimi i konflikteve të mëtejshme. Një Evropë më e fortë është një Evropë që mund të mbrojë veten”, thuhet tutje në njoftimin e Zyrës.

Komisioni Evropian fton Kosovën ta ratifikojë marrëveshjen për milionat

8 o. më parë / 1 kor 2025 15:24
SAmiti ne shkup

Liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë rishprehur zotimin e tyre për të shfrytëzuar mundësinë që vjen nga Plani i Rritjes për rajonin, sipas një komunikate nga faqja e Komisionit Evropian.

Njoftimi ka dalë pas takimit që komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, me liderët në një takim rajonal në Shkup të martën.

“Pas një viti të avancimit të reformave dhe bashkëpunimit intensiv në fusha të tilla si financat, transporti, lidhja digjitale dhe integrimi i tregut, komisionerja Marta Kos dhe udhëheqësit bënë një vlerësim të përparimit të bërë deri tash. Ata po ashtu konfirmuan vendosmërinë për t’u takuar rregullisht për ta ruajtur vrullin politik pas zbatimit të Planit”, thuhet në njoftim që vazhdon se udhëheqësit synojnë të takohen përsëri në vjeshtë.

Sa i përket 600 reformave ambicioze që këto shtete duhet t’i kalojnë për të marrë 6 miliardë eurot në formë të mbështetjes financiare nga BE-ja, deri tash mjetet e parafinancimit i kanë marrë katër shtete (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia). Për Kosovën që s’i ka marrë ende, është bërë thirrje nga Komisioni që ta përshpejtojë procesin e vënies në fuqi të Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshja për Hua. Kjo nënkupton konstituimin e Kuvendit. Nga ky proces Kosova do t’i përfitonte rreth 60 milionë euro.

Kos – shteteve të Ballkanit Perëndimor: Është përgjegjësi e juaja që të përfitoni nga Plani i Rritjes

11 o. më parë / 1 kor 2025 12:44
Marta Kos

Photo: Associated Press

Marta Kos, komisionere e Bashkimit Evropian për zgjerim, ua ka bërë të qartë liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor se është përgjegjësi e tyre implementimi i reformave në mënyrë që popujt të fitojnë nga Plani i Rritjes 6-miliardësh.

“Përdorini këto dritare të mundësive. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe jemi duke parë përkushtim të vërtetë për zgjerimin në kryeqytetet evropiane dhe për të ndërtuar një Evropë të fortë dhe që merr kontrollin e të ardhmes së saj. Ne kemi nevojë që të gjithë evropianët të punojnë së bashku, gjithashtu me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Plani i Rritjes sjell benefite sociale për qytetarët për Maqedoninë e Veriut dhe të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor para pranimit në BE siç është thënë në deklaratën e përbashkët të liderëve sot. Kjo është përgjegjësia juaj që të implementohet për benefitet e shtetasve tuaj dhe bizneseve dhe sigurisht BE-ja do të ndihmojë”, ka thënë ajo në konferencën pas takimit me liderët në Shkup.

Kos ka thënë se tashmë është faza e implementimit dhe se rezultatet, sipas saj, janë pozitive. Megjithatë, ajo ka bërë thirrje që të intensifikohen angazhimet në implementimin e çerekut të reformave të premtuara e që s’janë mbërritur.

“Paratë do të jenë në dispozicion deri në fund të 2027 dhe nëse shtetet nuk e përdorin këtë, ne do të duhej të japim, mua më duhet t’i jap këto para në buxhetin e përgjithshëm të BE-së. Mendoj se është mënyrë më e mirë që shtetet të bëjnë reformat dhe ne të japim paratë te shtetet kandidate e jo te kthehen te buxheti i BE-së edhe pse unë jam pjesë e BE-së dhe kujdesem për këtë buxhet. Por me të vërtetë dua që deri në euron e fundit të shpenzohet nga shtetet kandidate”, ka shtuar ajo.

Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi.

Teksa disa shtete kanë marrë mjetet e para, Kosova nuk arrin ta bëjë për shkak të mosratifikimit të marrëveshjeve në Kuvend.

Kurti: Kënaqësi të jem në Shkup, diskutuam për Planin e Rritjes

13 o. më parë / 1 kor 2025 10:35
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se mbrëmjen e së hënës kanë pasur një darkë në Shkup, ku me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar mbi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.

Ai para mediave tha se është kënaqësi ta vizitojë Shkupin, vend që bashkërisht me shtetet e tjera synon anëtarësimin në BE.

Kurti përmendi edhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbi pikat e përbashkëta të kontrollit.

“Me këtë rast kemi pasur një darkë paraprake mbrëmë, ku kemi diskutuar për Planin e Rritjes. Kënaqësi të vij në Shkup, tash kur kemi pika të përbashkëta kontrolli. Ajo Han i Elezit – Bllacë, që më 12 prill u funksionalizua dhe ajo Glloboçicë-Jazhincë, që më 28 maj u funksionalizua. Si rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta me Qeverinë Mickovsksi, më 18 nëntor në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët”, ka thënë ai.

Kos: Ka konsensus për zgjerim, por mundësia të mos jetë e përhershme

13 o. më parë / 1 kor 2025 10:16
Marta Kos

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian kanë konsensus për zgjerim tani.

“Ka konsensus për zgjerim tani. Por dritarja e mundësisë, mund të mos jetë aty përherë. Po shohim përparim”, ka thënë ajo në samitin rajonal BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, teksa ka theksuar përparimin e Shqipërisë me hapjen e negociatave muajve të fundit.

Për Kosovën ka thënë se po presin formimin e qeverisë së re “për t’u fokusuar me energji të plotë në procesin e anëtarësimit”.

Tek ka folur për Planin e Rritjes për shtetet e Ballkanit Perëndimor, rreth 6 miliardë euro në formë granti nga BE-ja dhe një pjesë në formë kredie, ajo ka thënë se tani gjithçka është në duart e shteteve të Ballkanit.

Kosova parashihet të marrë rreth 900 milionë euro nga kjo pako. Procesi është bllokuar në mungesë të konstituimit të Kuvendit.

Në samit po merr pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

BE-ja ka njoftuar se Samiti do të jetë mundësi për të diskutuar fusha të reja bashkëpunimi në mbrojtjen e konsumatorit, turizmit.

“Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë ekonominë e rajonit dhe të ndihmojë vendet e tij të bashkohen me BE-në. Ai siguron 6 miliardë euro fonde për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital, me qëllim rritjen e prosperitetit dhe stabilitetit në rajon”, thuhej në njoftimin e BE-së.