Sot në Prishtinë mbahet protesta kundër shtrenjtimit të paralajmëruar të tarifave të energjisë elektrike. Organizatorë u kanë bërë thirrje qytetarëve për dalje masive.
Protesta e cila pritet të nisë në orën 13:00 është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”. Ajo do të fillojë pranë ndërtesës së KEDS-it dhe pritet të përfundojë te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Aktivistja Qendresa Hyseni ka thënë se protesta është mjet për ta parandaluar rritjen prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike, të kërkuar nga KESCO-ja. Ajo ka paralajmëruar se miratimi i kësaj kërkese nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të ketë ndikim në koston e jetës së qytetarëve.
Kundër kërkesës së KESCO-s për rritje të tarifave të energjisë elektrike ka reaguar të enjten edhe Rinia e Partisë Demokratike (PDK), nëpërmjet një aksioni simbolik të zhvilluar para objektit të Ministrisë së Ekonomisë. Me moton “Energjia nuk është luks”, aktivistë të rinisë së PDK-së kanë protestuar duke bartur në duar nga një faturë të rrymës.
Pas shqyrtimit të kërkesës së KESCO-s, ZRRE-ja pritet që në mars të marrë vendim nëse do të ketë rritje të tarifave të rrymës apo jo.