Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet konkursi për shkollimin specialistik, por e rezervuar ka qenë lidhur me numrin dhe drejtimet që do t’u jepet prioritet. Konkursi i fundit, me ç’rast u zgjodhën 1 mijë e 500 specializantë, u përcoll me mospërputhje të numrit të specializantëve në raport me burimet njerëzore dhe kushtet infrastrukturore
Me mungesë mentorësh dhe hapësirash po përballen gjatë shkollimit të tyre specialistik rreth 1 mijë e 500 specializantët e konkursit të MSH-së, të dy vjetëve më parë.
Në disa drejtime, si stomatologjia, farmacia e psikologjia klinike, numri i specializantëve është i madh, ndërkohë që nuk ka kuadro të mjaftueshme për mentorimin dhe vlerësimin e tyre.
Për telashet e tyre kanë folur në Bordin për Shkollim Specialistik. Edmond Haliti, kryetar i këtij bordi, ka thënë se disa prej problemeve janë zgjidhur, por larg standardit të dëshiruar.
“Bordi jonë si trupë profesionale brenda Ministrisë së Shëndetësisë ka adresuar te personat përgjegjës secilin nga këto probleme/mangësi dhe tashmë disa nga to janë zgjidhur brenda vitit të parë të mandatit tonë”, ka thënë ai.
Ai ka numëruar edhe çështjet që thotë të kenë gjetur zgjidhje.
“Ndër to mund të përmend: finalizimin e sistemin elektronik të menaxhimit të të dhënave për specializantët, përgatitjen nga fillimi të Ditarit të Punës për specializantë, i cili tashmë është në procedura botimi e që është esencial për një monitorim të shkollimit specialisitik dhe matjes së performancës (nga ana kuantitative dhe kualitative)”, ka thënë Haliti në një përgjigje për KOHËN.
“Kemi funksionalizuar disa komitete specialistike qe një kohë të gjatë ose nuk kishin ekzistuar ose kishin qenë jofunksionale, (p.sh. ai i farmacisë, psikologjisë klinike), kemi angazhuar ekspertë të jashtëm (pa pagesë shtesë, thjesht vullnetmirë) për ligjërata dhe provime, e së fundmi kemi iniciuar plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ aktual për shkollim specialistik”.
Dy muaj më parë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar se një konkurs i ri për specializantë do të shpallet në shtator, por KOHËS nuk i janë dhënë sqarime nëse janë identifikuar drejtimet ku ka më së shumti nevojë për profilizim, si dhe për numrin e specializantëve.
“MSH-ja është në përgatitje të konkursit të specializimeve përmes Bordit për Shkollim Specialistik. Numri i specializimeve që do të ndahen, profilet dhe detaje të tjera teknike janë duke u përgatitur nga Bordi, bazuar në nevojat e sistemit dhe planit për transformimin e shëndetësisë në Kosovë”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në SHSKUK disa herë kanë shprehur shqetësimet për mungesë të infektologëve, pulmologëve, anesteziologëve, e për disa nevoja të tjera të burimeve njerëzore.
Kryetari i Bordit për Shkollim Specialistik thotë se duhet të ketë koordinim në mes të të gjithë personave të përfshirë në këtë proces.
Sipas Halitit, mbingarkesa e dy vjetëve të fundit ka shpërfaqur problemet që kanë ekzistuar prej vitesh e dekadash.
“Kemi identifikuar kapacitetet mentoriale dhe infrastrukturore që kemi në bashkëpunim me komitetet e ndryshme specialistike, ndërsa tani jemi në proces të identifikimit të nevojave/kërkesave që kanë institucionet shëndetësore në nivel vendi (QKMF, spitalet rajonale, QKUK-ja dhe institutet)”, ka thënë tutje Haliti.
“Prandaj, mendoj se të gjithë personat e përfshirë në këtë proces (institucione të ndryshme shëndetësore, arsimore, odat e profesionisteve, shoqatat, vetë profesionistët) dhe vullneti politik duhet të koordinohen dhe të angazhohen për të çuar përpara këtë proces të rëndësishëm për shëndetësinë tonë, duke mos dashur të vërë në përgjegjësi e as të amnistojë kolegët që kanë punuar në bordet e mëparshme dhe as në Bordin që aktualisht drejtoj”, ka shtuar ai.
Më 17 qershor 2021, Edmond Haliti ishte përzgjedhur kryesues i Bordit të ri të qendrës për shkollim specialistik, ndërsa anëtarë të Bordit janë: Driton Vela, Blerim Myftiu, Zana Sllamniku, Rozafë Koliqi, Pranvera Zejnullahu, Ilire Bunjaku dhe Mentor Bislimi.
Ky bord ishte emëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në të njëjtën ditë pasi kishte shkarkuar bordin paraprak të themeluar në korrik të 2020 në kohën e ish- ministrit Armend Zemaj.
Ai bord i cili nuk kishte arritur të përfundonte mandatin trevjeçar siç parashihet me Udhëzimin Administrativ, ishte udhëhequr nga Labinot Shahini, ndërsa anëtarë kanë qenë: Milazim Gjocaj, Serbeze Kabashi, Gloria Staka, Florije Rexhepi, Bedri Braha, Albiona Rashiti, Albana Morina dhe Fahrije Merovci.
Sipas Udhëzimit Administrativ, Bordi përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë.
Bordi ka kompetencë për të organizuar, udhëhequr, zhvilluar dhe mbikëqyrur aktivitetet për shkollim specialistik, mes të tjerash edhe rekomandon emërimin e Komiteti Specialistik, emëron Komitetin Vlerësues për provim specialistik, miraton planprogramin për shkollim specialistik etj.
Aktiviteti i Bordit bazohet në dispozitat e këtij udhëzimi administrativ dhe në Rregulloren e Brendshme të Punës të miratuar nga Bordi. Bordi për punën e tij i përgjigjet ministrit. Bordi për shkollim specialistik përbëhet nga nëntë anëtarë: Ministria e Shëndetësisë përcakton 2 persona, një anëtar në cilësinë e kryesuesit, tre nga Fakulteti i Mjekësisë: Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji dhe Farmaci, dhe nga një përcaktohen nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Kujdesi Parësor Shëndetësor, si dhe një zyrtar ligjor.