Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Spitali i Prizrenit demanton SHSKUK-në

Spitali i Prizrenit

Fot: Arkiv

Terapia antikancerogjene në Spitalin e Prizrenit paraqitet si shërbim i funksionalizuar gjatë vitit 2025 në raportin e SHSKUK-së, por të dhënat nga vetë spitali e mohojnë këtë pretendim. Sipas përgjigjes zyrtare, në këtë institucion aktualisht ofrohet vetëm terapia “Zometa”, e cila ka nisur të aplikohet që nga maji i vitit 2024. E, bazuar në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare të barnave, “Zometa” nuk shërben për të luftuar drejtpërdrejt qelizat kancerogjene

Funksionalizimi i shërbimit të terapisë antikancerogjene në Spitalin e Prizrenit po kontestohet, pavarësisht se është paraqitur si arritje në raportin e punës për vitin 2025 nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Ndonëse në dokument thuhet se ky shërbim është ofruar për herë të parë, drejtues nga vetë Spitali i Prizrenit theksuan se aktualisht aty ofrohet vetëm terapia “Zometa”, e cila nuk është një shërbim i ri, siç është paraqitur në raportin e SHSKUK-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Po. Aktualisht ofrohet vetëm terapia me ‘Zometa’ 4 mg. Ky shërbim ka filluar të ofrohet nga muaji maj 2024”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Prizrenit.

Terapia antikancerogjene është trajtimi që përdor ilaçe për të luftuar drejtpërdrejt qelizat e kancerit.

Ndërkaq, sipas Agjencisë Evropiane të Barnave, “Zometa” nuk i lufton qelizat tumorale, por përdoret për të parandaluar komplikimet në kocka kur kanceri është përhapur në to.

“‘Zometa’ mund të përdoret për të parandaluar ndërlikimet e kockave te të rriturit me kancer të avancuar që prek kockën. Kjo përfshin frakturat (thyerjet e kockave), kompresimin e shtyllës kurrizore (kur palca kurrizore kompresohet nga kocka), çrregullimet e kockave që kërkojnë radioterapi (trajtim me rrezatim) ose kirurgji, dhe hiperkalceminë (nivele të larta të kalciumit në gjak)”, thuhet në një përshkrim në faqen e kësaj agjencie.

Edhe sipas organizatës amerikane “American Cancer Society”, e cila merret me parandalimin, edukimin dhe trajtimin e kancerit, “Zometa” nuk figuron në listën e terapive kimioterapeutike që përdoren për të luftuar drejtpërdrejt kancerin.

“Antraciklinat janë antibiotikë antitumoralë që ndërhyjnë në enzimat e përfshira në kopjimin e ADN-së gjatë ciklit qelizor. Ato lidhen me ADN-në në mënyrë që ajo të mos mund të bëjë kopje të vetes dhe një qelizë të mos mund të riprodhohet. Shembuj të antraciklinave përfshijnë: Daunorubicin, Doxorubicina, Epirubicina, Idarubicin, Valrubicin”, thuhet në faqen e kësaj organizate.

KOHA ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës lidhur me natyrën e terapisë “Zometa”, por nuk ka pranuar përgjigje.

Përgjigje gjatë ditës së hënë nuk kanë dhënë as nga SHSKUK-ja.

Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, përgjegjës edhe për Ambulancën Specialistike në Prizren, është pyetur për mosfunskionalizimin e shërbimit të terapisë antikancerogjene në Spitalin e Prizrenit, por ai ka refuzuar të përgjigjet.

“Valla nxan, jam pak, m’fal, jam në pushim deri pasnesër. Gjatë javës, nga e premtja, nihemi, pushim, s’ka urgjencë. Kah java tjetër flasim”, ka thënë ai në thirrjen telefonike.

Sipas drejtuesve të Spitalit të Prizrenit, që nga viti 2024 terapinë “Zometa” e kanë marrë 120 pacientë.