Arbëri

Studentët e duan muzeun e krimeve serbe në objektin e kishës ortodokse serbe në kampusin e UP-së

Kryetarit të organizatës studentore "Demokracia studentore" nuk i pëlqen ideja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që muzeu i gjenocidit të Serbisë të ndërtohet në lagjen "Arbëria".

Ky muze, sipas Mexhid Ramusës, e ka vendin në objektin e kishës së pashfrytëzuar ortodokse serbe, e cila gjendet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, raporton KTV.

Ramusa thotë se nga e hëna do të nisin nënshkrimin e një peticioni, të cilin pastaj do ta dorëzojnë në zyrën e Kuvendit.

Për këtë iniciativë, ai ka deklaruar se ka mbështetjen edhe të Parlamentit studentor.

Një kërkesë të tillë, organizata e kishte shfaqur edhe tre vjet më parë, mirëpo nuk është marrë parasysh nga institucionet.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, nuk ka folur për këtë çështje me arsyetimin se nuk ka pranuar ndonjë material nga organizata.

“Në aspektin formal nuk kam informacion e as ndonjë material. Deklaratat e kryetarit nuk i komentoj”, ka thënë Krasniqi.

Për këtë kërkesë, televizioni ka pyetur edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahemti, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thënë se muzeu që synon të paraqesë krimet e Serbisë në Kosovë, do të ndërtohet në objektin e ish-tjegullores në kryeqytet.