Arbëri

Studimi i bërë për herë të parë në botë prezantohet në Kosovë: Efektet e traumës barten në gjenerata

Për një dilemë të rëndë në jetën e saj, atë nëse po bënte punë të mirë duke i rritur dy vajzat e saj, përderisa kishte çrregullime të stresit post-traumatik, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka folur para një audience të gjerë.

“Në një mënyrë, jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar që trauma u ishte përcjellë atyre gjatë shtatzënisë, e jo për shkak se unë isha një nënë e keqe. Prezenca juaj ka shumë rëndësi për ne. Tregon se ju po kujdeseni dhe po tregoni kujdes dhe interes për ata fëmijë që janë të prekur nga diçka që u ka ndodhur nënave të tyre, pa fajin e tyre”, ka thënë Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale.

Rezultatet e këtij studimi, i bërë për herë të parë në botë nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Instituti Danez Kundër Torturës, u prezantuan në këtë konferencë.

Për këtë temë, në Kosovë ka qëndruar edhe Kontesha e Wessexit, Sophie, që theksoi nevojën për mbështetjen e kësaj kategorie.

“S’mund ta marr me mend sa e vështirë ka qenë për ato, për këto trauma që i bartin me vete. Përkundër guximit ato kanë nevojë për mbështetje, drejtësi, kanë nevojë për ne. Ne duhet ta pranojmë se dhimbja dhe pasojat e dhunës seksuale nuk zhduken me kalimin e kohës. Nëse nuk adresohen ato vetëm shtohen, konfliktet lënë plagë, por më shumë stigma”, ka thënë Sophie.

Rezultatet e hulumtimit janë prezantuar nga Shr-Jie Sharlenna Wang, nga Instituti Danez kundër Torturës.

“Fëmijët që kanë lindur nga nënat që kanë qenë me çrregullim të stresit post-traumatik gjatë shtatzënisë, kanë qenë më të prekur nga nivelet e larta të aktivitetit të kortizolit, krahasuar me ato që s’janë ballafaquar me këtë çrregullim gjatë shtatzënisë”.

Derisa për rëndësinë e këtij studimi ka folur Feride Rushiti, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, qendër që edhe shënon 20-vjetorin e funksionimit.

Përndryshe, studimi, si i pari i tillë në botë që trajton fëmijët e grave që përjetojnë trauma seksuale e që rezultojnë në çrregullime të stresit post traumatik, rëndësi i kushton ekzaminimit të hershëm të fëmijëve.