Arbëri

Sulmuesi nga Vjena shkoi në Sllovaki për t’u pajisur me armë

Foto: Reuters

Sipas një hulumtimi të mediave gjermane Kujtim F. gjatë verës shkoi në Sllovaki për t’u pajisur me municion, por s’pati sukses. Autoritetet sllovake paralajmëruan kolegët austriakë, të cilët dështuan të ndalin terroristin e ardhshëm. Pyetja është se nga e siguroi municionin dhe armët Kujtim F.?

Pas sulmit në Vjenë të kryer nga terroristi vjenez me shtetësi austriake dhe maqedonase mediat gjermane kanë vënë në lëvizje tërë aparatin e tyre hulumtues. Rrjeti i përbashkët hulumtues i “Süddeutsche Zeitung” dhe televizioneve NDR dhe WDR njofton se ka indikacione se disa persona kanë qenë të involvuar në përgatitjen e sulmit në Vjenë. Nga qarqet hetuese ky rrjet ka mësuar se atentatori ka shkuar në Sllovaki gjatë verës së këtij viti për të siguruar municion për kallashnikovin e tij AK-47. Kjo armë ka qenë tepër e përhapur në konfliktet e viteve 90-të në ish-Jugosllavi. Me këtë armë atentatori hapi zjarr të hënën në mbrëmje në qendër të Vjenës, me ç’rast u vranë 4 persona dhe u plagosën 22 veta, disa rëndë.

Ende është e paqartë se ku është pajisur me armë dhe municion vrasësi nga Vjena. Sipas informatave të “Süddeutsche Zeitung” dhe televizioneve NDR dhe WDR autoritetet austriake po hetojnë 14 persona nga rrethi i islamistit. Ata janë të moshës mes 16 dhe 28 vjeçare dhe janë nga Vjena dhe landi Niederösterreich (Austria e Poshtme).

Sipas gazetës sllovake “Dennik” Kujtim F. u kthye nga Sllovakia pa municion pasi nuk ishte në gjendje të tregojë se ka leje për armëmbajtje. Autoritetet sllovake paralajmëruan kolegët austriakë, të cilët dështuan të ndalin terroristin e ardhshëm. Kujtim F., familja e të cilit është me origjinë nga rrethina e Tetovës, dyshohet se shkoi në Sllovaki i shoqëruar nga një person tjetër. Me gjasë për këtë udhëtim u shfrytëzua vetura e cila ishte e regjistruar në emrin e nënës së një islamisti. Mediat austriake kanë bërë të ditur se ky islamist është me origjinë kosovare. Por për këtë nuk ka ende konfirmim zyrtar. Gjithashtu është bërë e ditur nga mediat vjeneze se policia po kërkon edhe dy kosovarë që mund të kenë qenë të përzier në rastin e Vjenës. As për këtë nuk ka ende konfirmim zyrtar.

Ndërkohë milicia terroriste “Shteti Islamik” ka marrë mbi vete autorësinë e krimit në Vjenë, duke e prezantuar Kujtim F. si pjesëtar të ISIS-it. “Shteti Islamik” e prezanton Kujtim F. me emrin “Abu Dagnah Al-Albany”. Në fotografi “al-Albany” bart një revole, një pushkë, një thikë dhe një unazë me shënimin “Muhamedi është i dërguari i Allahut”.