Publicisti Veton Surroi ka thënë se para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, partitë duhet të arrijnë konsensus për të adresuar çështjen e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe partneritetin me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Në një shkrim në Facebook ai ka thënë se konsensusi që vendi të shkojë në zgjedhje është ndërtuar me besimin e përbashkët të partive për pamundësinë që të krijojnë qeveri të re.
Megjithatë, sipas tij, “zgjedhjet e reja jo domosdoshmërisht do të prodhojnë një gjendje të lehtë e as mund të garantojnë se pas zgjedhjeve partitë do të dakordohen për të formuar një qeveri të re në një afat të shpejtë”.
“Kriza e tanishme mund të zvarritet edhe pas zgjedhjeve”, ka shkruar Surroi në Facebook.
Surroi ka thënë po ashtu se partitë kanë interesa legjitime për apo kundër formimit të Qeverisë së re, megjithatë ai ka theksuar se ato po ashtu kanë obligim që të adresojnë interesa thelbësore dhe rreziqet që i kanosen shtetit.
“Para se të marrin vendimin e përbashkët për zgjedhje të reja (e të shpallur nga presidentja e vendit) partitë politike duhet të adresojnë këto dy interesa thelbësore, pra buxhetin për vitin 2026 dhe partneritetin me Bashkimin Evropian të formuluar me Planin e rritës. Buxheti i vitit 2026 në parametrat e sotëm zhvillimor- pa ndërhyrje drastike siç do të ishte ndonjë huamarrje e madhe - është i parashikueshëm dhe do të kishte pak ndryshime po të propozohej prej cilësdo parti. I miratuar gjatë kësaj jave buxheti i vitit 2026 mund të rishikohet para verës së ardhshme nga kushdo që ta formojë Qeverinë e ardhshme. Ratifikimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe BE-së për Planin e Rritës do të ishte një akt koncensusi politik i cili shpërfaq koncensusin qytetar për reformim dhe integrim në BE. Ky do të ishte indikatori më i mirë i përcaktimit se pa marrë parasysh kush e formon Qeverinë e ardhshme , ekziston një pajtim i plotë për rrugën reformuese evropiane të Kosovës”, ka shkruar Surroi më tej.
Sipas tij, Qeveria aktuale edhe pse nuk ka kapacitet të një qeverie me besimin për një mandat të ri, “ka aftësi ligjore për të propozuar projekt-ligjin e buxhetit për vitin 2025 dhe Kuvendi i cili është funksional deri në vendim shpërbërjeje ka mundësi dhe obligim përligje të tij”.
“Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka kapacitet të plotë të ratifikojë Marrëveshjen për Planin e rritës”, ka shtuar ai.
Surroi ka vlerësuar se arritja e një marrëveshje për shkuarje në zgjedhje duhet të ndërlidhet me obligimin që e kanë partitë për ta miratuar buxhetin dhe ratifikuar Planin e Rritjes nga BE-ja.
“Java ka filluar me një trajtim joserioz të gjendjes nga aktorët politikë dhe institucional. Çështja e dakordimit për pikat koncensuale nuk pret ditë. Aktorët politikë dhe institucional kanë mundësi që këtë krizë të zgjatur të vitit të menaxhojnë me seriozitetin e duhur brenda kësaj jave, duke prodhuar një koncensus të ri”, ka shkruar tutje ai.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten të vetmet vende të rajonit që akoma nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë asgjë nga Plani i Rritjes i BE-së. Kosova ishte ndër vendet e para për të cilat Komisioni e pati aprovuar një agjendë të tillë qysh në vjeshtën e vitit të kaluar. Por pagesat për Kosovën nuk janë të mundura pasi në Kosovë nuk ka institucione që me BE-në do të bënin marrëveshje formale, e ajo marrëveshje do të kalonte me 2/3 me ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Kështu, për shkak të krizës institucionale që po vazhdon në Kosovë, Kosova s’është në gjendje të marrë pagesat qindra milionëshe nga ky plan edhe pse kushtet teknike dhe formale kohë më parë i kishte përmbushur.
Ligji për Menaxhimin e Financave Publike përcakton se deri më 31 tetor, qeveria duhet ta miratojë Ligjin për Buxhet, e deri më 31 dhjetor ai duhet të kalojë edhe në Kuvend.
Në fakt, qysh nga marsi, Kosova nuk ka qeveri mandatplotë.
Ligji për Qeverinë përcakton se qeveria në dorëheqje nuk ka të drejtë të miratojë projektligje, përpos atij për buxhetin.
Sipas Blendi Hasajt, drejtor në Institutin GAP, nëse nuk aplikohet kjo e drejtë që e lejon ligji, e as nuk zgjaten ndarjet buxhetore deri në mars të vitit 2026, atëherë vendi ndodhet para një bllokade financiare.
“Ligji për menaxhimin e financave publike lejon që ndarjet buxhetore (të bazuara në ndarjet e vitit 2025) të vazhdojnë automatikisht deri në fund të muajit shkurt të vitit 2026. Pas këtyre afateve, nëse nuk konstituohet Kuvendi, do të bllokoheshin të gjitha pagesat në sektorin publik, përfshirë ato për paga të punonjësve të sektorit publik, realizimin e projekteve kapitale, etj., përveç atyre për servisimin e borxhit publik”, ka thënë Hasaj.
Të dielën, Kuvendi votoi kundër formimit të Qeverisë Kurti 3. Tani radha është te presidentja që pritet të nisë konsulta për mandatarin e dytë, ose të çojë vendin në zgjedhje.