Arbëri

Surroi tregon dy rreziqet më të mëdha që i kanosen Kosovës

Veton Surroi

Në episodin e fundit të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi identifikoi dy nga sfidat më serioze që, sipas tij, i kanosen Kosovës në dekadën e ardhshme.

I pyetur nga dramaturgu Jeton Neziraj për rreziqet më të mëdha të brendshme, Surroi theksoi konfliktin e papërfunduar me Serbinë dhe mungesën e përgatitjes për transformimet teknologjike e kulturore.

“Rreziku i parë është që shoqëria jonë nuk e ka mbyllur konfliktin. Jo sepse ka kërcënim të drejtpërdrejtë fizik, por sepse konflikti është bërë pjesë e narracionit tonë kolektiv dhe po përcillet te gjeneratat e reja. Nuk ua kemi borxh të rinjve që edhe ata të jetojnë me Serbinë si temë të përditshme”, ka thënë ai.

Rreziku i dytë, sipas tij, ka të bëjë me mungesën e përgatitjes së Kosovës për të hyrë në një epokë të re teknologjike, ku inteligjenca artificiale dhe transformimet digjitale do të jenë përcaktuese.

“Kosova si shtet është produkt i një projekti mendor, por nuk di çka duhet bërë që të rinjtë tanë të përballen me transformimin teknologjik pa e humbur identitetin dhe kulturën”, u shpreh Surroi.

Ai ngriti shqetësimin se, në një vend ku 80% e nxënësve nuk e kuptojnë tekstin që lexojnë, ku mungojnë gazetat dhe autoritetet publike, dhe ku informacioni vjen i pafiltruar përmes rrjeteve sociale, është shumë e vështirë të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme.

“Kur gjithkush mund të kontestojë ekspertin, kur nuk ka burime të besueshme, dhe kur një status në Facebook zëvendëson librin apo gazetën, atëherë ne rrezikojmë të hyjmë në epokën e inteligjencës artificiale si shoqëri pa kompasa”, përfundoi Surroi.

Lexo përditësimet tjera
Jeton Neziraj

Jeton Neziraj në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e shtatëmbëdhjetë të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është dramaturgu Jeton...