Arbëri

Szalai: Qeveria e Kosovës të propozojë plan për përmirësim të lirisë së mediave, të mos vë në pikëpyetje raportin

Shefi për zyrën BE-Ballkan në organizatën “Reporterët pa Kufij”, Pavol Szalai, ka thënë se është i befasuar që në Kosovë më tepër pati diskutime për kredibilitetin dhe metodologjinë e raportit, sesa për problemet me të cilat përballen gazetarët në Kosovë. 

“Në vend që ta vë në diskutim metodologjinë e indeksit, pres nga Qeveria të propozojë një plan për ta përmirësuar lirinë e mediave. Unë absolutisht e përkrahi idenë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për të krijuar një grup punues për të bërë progres në lirinë e mediave, që nuk është e rëndësishme vetëm për gazetarët dhe qytetarët e Kosovës, por edhe për integrimin në BE”, ka thënë Szalai në “Interaktiv” të KTV-së. 

Në raportin e fundit të “Reporterëve pa Kufij”, të publikuar më 2 maj, Kosova ka rënë në vendin e 99-të. Gjendet më së keqi nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Është rënie drastike nga dy vite më parë ku gjendej në vendin e 56-të. 

Madje Kosova në indeksin e fundit gjendet më poshtë edhe se Serbia, që zë vendin e 96-të. 

Szalai ka thënë se janë marrë parasysh disa elemente. Ai ka thënë se Kosova ka pësuar rënie të madhe në indikatorin politik, që nënkupton se presionet politike ndaj gazetarëve janë rritur periudhën e kaluar. Po ashtu ka thënë se ka pësuar rënie edhe në indikatorin social-kulturor, që tregon se si perceptohen gazetarët nga shoqëria. Po ashtu ka përmendur rënien edhe në indikatorin ligjor, duke cekur ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. E po ashtu ka thënë se aspekti ekonomik është gjithashtu keq në Kosovë. 

“Sikur Kosova të renditej sipas indikatorit ekonomik, do të ishte në vendin e 101-të”, tha Szalai. 

Szalai ka cekur arsyet se si ka rënë Kosova më poshtë se Serbia në indeksin e fundit të perceptimit të lirisë së medias.

Ai ka thënë se ndjenja e pasigurisë së gazetarëve në Kosovë është më e madhe sesa në Serbi. 

“Kjo është vërtetë alarmuese”, tha ai. 

Szalai ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar reforma sa i përket lirisë së mediave, por nuk ka bërë reforma sistematike. Ai ka thënë se pret masa pozitive nga autoritetet e Kosovës. 

Szalai ka thënë se indeksi është i bazuar nga të dhënat në terren dhe i bazuar nga respondentët dhe pyetësorët, që janë universalë gjithandej botës. 

“Janë të njëjtë në gjithë botën dhe këta pyetësorë janë publik në uebfaqen tonë. Respondentët janë lokalë, ata janë nga Kosova”, tha Szalai, që ka shtuar se s’mund të zbulojë se sa respondentë ka pasur dhe emrat e tyre për shkaqe sigurie. 

Ai ka thënë se gjithë respondentët ishin ekspertë në lirinë e shtypit dhe media dhe nuk kanë lidhje politike apo lidhje me parti politike. 

“Ne garantojmë se metodologjia është solide dhe është e sqaruar në faqen tonë. Në vend se të diskutohet për metodologjinë, është më e rëndësishme, siç ka thënë AGK, të diskutohen zgjidhjet. Ne jemi të gatshëm për të sjellë ndihmën ndërkombëtare dhe të kemi dialog me autoritetet e Kosovës se si mund ta përmirësojmë situatën. Unë e çmoj që qëndrimi i zëdhënësit të Qeverisë ishte shumë i sjellshëm. Fakti që ata vënë në pikëpyetje metodologjinë, është e drejta e tyre. Por është në interesin publik të diskutojmë besimin qytetar në informata dhe qasjen në informata publike që ka devijuar në Kosovë e jo të diskutojmë për metodologjinë e ‘Reporterëve pa Kufij’”, tha Szalai. 

Ai ka thënë se Kosova ka rënë shkaku i presioneve politike ndaj gazetarëve nga Qeveria. Ai ka përmendur bojkotimin e disa mediave gjatë zgjedhjeve të fundit. 

“Po flasim për një zonë të madhe. Dhe çfarë kemi thënë është se Kosova i takon kësaj zonë ku Transmetuesi Publik po vuan nga presioni politik, ka fonde të pamjaftueshme dhe të paparashikueshme. Kështu që është me rëndësi që transmetuesin publik ta bëj të pavarur, ashtu që ka mjete të mjaftueshme, që organin mbikëqyrës e ka funksional dhe jo si tani në mënyrë që të ofrojë gazetari në interesat e publikut dhe kjo është mënyra për të luftuar dezinformatat.  Prandaj këtu autoritetet duhet ta vendosin fokusin dhe duhet t’i pajtojnë masat me transmetuesin publik dhe duhet ta ndihmojnë transmetuesin publik që është një medium i besueshëm në Kosovë. Pra për ta ndërtuar dhe bërë më të fortë dhe jam i sigurt se kjo do ta ndihmonte përmirësimin me gjendjen e lirisë së medias në Kosovë”.