Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se duhet të ketë hetim dhe trajtim institucional sa i përket çështjes së ekspozitës së që ekspozoi pasaktësi të masakrave në Kosovë.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se këtë gabim e konsideron dështim të shtetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“E konsideroj si dështim të shtetit, një gabim i trajtimit të një pike dhe ekspozite me përmbajtje aq të dëmshme që krijoi dhimbje pa kurrfarë përgjegjësie. Janë marrë disa qëndrime, mirëpo ajo që e them me përgjegjësi të plotë, ky ka qenë një dështim shumë serioz dhe një lëshim shumë serioz për të cilin duhet të ketë hetim e trajtim institucional”, ka thënë ai.
Lidhur me zgjedhjen e presidentit, Tahiri ka thënë se duhet të arrihet marrëveshje për t’i mbledhur 80 vota.
“Krejt vajtojnë e bërtasin ‘kuku si ta gjejmë presidentin’, asnjë veprim konkret nga pozita nuk e kemi, asnjë zë nuk i dëgjohet kryeministrit e as Qeverisë. Për ta bërë presidentin duhet t’i kesh 80 vota, për t'i pasur 80 vota duhet të arrihet marrëveshje e marrëveshje nuk ka pasur pasi i kanë dashur (t'i propozojë) dy të vetë të partisë së vet”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë për media, nuk ka komentuar protestën që do të mbahet sot nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), shkak i ekspozitës nga ish-këshilltari i tij, Shkëlzen Gashi, i cili kishte vendosur gabime për krimet e Serbisë në Kosovë, raportoi KSP.
Ai ka thënë se në atë ekspozitë gabimet duhet të korrigjohen dhe të shtohen edhe masakrat që nuk ishin përfshirë.
"Me sa mora vesh, tashmë është larguar, ajo nuk ndodhet më në shesh, aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë por kishte edhe të tilla që kanë pasur gabime në tekst, ato natyrisht me doemos duhet të korrigjohen e të përmirësohen. E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë jo vetëm para botës por edhe para nesh”, ka thënë Kurti.
Sot, në orën 13:00, OVL-UÇK do të mbajë protestë para Kuvendit të Kosovës, për ekspozitën që ishte shfaqur në sheshet e Prishtinës, nga ish këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, në të cilën ka pasur gabime dhe të pavërteta ndaj krimeve të serbëve.
Çitaku: Në kërkesën për financimin e ekspozitës, s’është përmendur libri i Shkëlzen Gashit
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se ekspozita që shpërfaqi pasaktësi për masakrat në Kosovë është njollë që do t’i mbetet Kuvendit të Kosovës.
Ajo pas mbledhjes së Kryesisë në një prononcim për media, ka thënë se në të tilla raste, nuk mjafton kërkimfalja dhe që hetimi nuk duhet të përfundojë këtu.
“Nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, që nuk është lënduar nga pasaktësitë e ekspozitës. Në raste të tilla kërkimfalja nuk mjafton. Këtu nuk duhet të përfundojë hetimi”, ka thënë ajo.
Ka shtuar se në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit për subvencionimin e ekspozitës, nuk është përmendur askund se do të promovohen faqet e librit “Masakrat në Kosovë” me autor Shkëlzen Gashin.
“Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit nuk ka qenë askund emri i Shkëlzen Gashit.... Përtej pasaktësive këtu ka manipulim të qëllimshëm. Pse është mashtruar Kryesia e Kuvendit... Shoqata e Shkëlzen Gashit nuk është këtu...Është njollë që do t'i mbetet Kuvendit të Kosovës. Nga kërkesa vërehet se nuk është përmendur askund që do të promovohen faqet e librit "Masakrat në Kosovë" me autor Shkëlzen Gashin”, ka thënë ajo.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka deklaruar se miratimi për subvencionimin e ekspozitës është marrë në Kryesinë e Kuvendit nga të gjitha partitë përveç Listës Serbe.
Haxhiu: Vendimi për financimin e ekspozitës u mor në Kryesi, do ta ndryshojmë rregulloren
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur rreth ekspozitës e cila paraqiti pasaktësi rreth masakrave në Kosovë e që zuri vend në sheshet kryesore të kryeqytetit.
Ajo në një konferencë për media ka thënë se Kuvendi nuk e ka organizuar ekspozitën dhe se vendimi për financimin e saj është marrë në Kryesi, duke deklaruar se të gjitha partitë e kanë mbështetur përveç Listës Serbe.
Haxhiu ka deklaruar se pas këtij rasti, do të ndërmerren hapa në ndryshimin e rregullores përmes së cilës subvencionohen projektet e tilla.
“Shpreh keqardhjen për atë që ka ndodhur, na vjen keq për të gjitha familjet, palët që janë prekur më së shumti për qytetarët e Kosovës. Pas këtij rasti do të ndërmarrim hapa për ndryshimin e rregullores ekzistuese me qëllim që të formojmë komisione profesionale që vlerësojnë kërkesa të tilla sepse rregullorja aktuale për subvencionim nuk parasheh një gjë të tillë. Apo në anën tjetër siç bëjnë ekzekutivi, ku bëhen thirrje publike paraprakisht e më pas mbështeten projekte të tilla”, ka thënë ajo.
Ka shtuar tutje se verifikimi i të dhënave të ekspozitës nuk bie mbi përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Haxhiut, sado që të hidhet faji të Kuvendi, ky institucion nuk ka mekanizma që i verifikojnë projektet që propozohen nga organizata.
“Dua të ritheksoj se Kuvendi nuk e ka organizuar ekspozitën. Nën patronatin tim është organizuar vetëm një ekspozitë më 6 mars në hollin e Kuvendit të Kosovës. Pikërisht që ata sot linçojnë nuk ishin të pranishëm në këtë ekspozitë. Ka pasur edhe deputetë të Kuvendit që nuk ka në qenë të pranishëm edhe pse thirrje ka pasur për të gjithë. Për ekspozitën në fjalë, vendimi për mbështetjen financiare është marrë në Kryesinë e Kuvendit, përveç Listës Serbe të gjithë anëtarët tjerë kanë votuar në favor të këtij vendimi. Verifikimi i të dhënave nuk bie mbi përgjegjësinë e Kuvendit e as Kryesisë së Kuvendit. Sado që është provuar të hidhet faji te Kuvendi, aktualisht Kuvendi nuk ka mekanizma që verifikojnë projektet që propozohen nga organizatat”, ka shtuar ajo.