Arbëri

Në Seminarin ndërkombëtar për gjuhën kërkohet rimëkëmbja e shqipes

Për 11 ditë radhazi, rreth 250 pjesëmarrës do të jenë pjesë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Nga organizatorët u tha se ka pasur numër të madh të të interesuarave, e njëra nga temat që do diskutohet është edhe “shqipja në rrezik” . Por ata kanë shprehur pakënaqësi për institucionet, të cilat than se nuk po e përkrahin si duhet këtë ngjarje.

Studentë të shumtë nga Evropa dhe më gjerë, që nga e hëna, për 11 ditë me radhë do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë për gjuhën dhe kulturën shqipe.

Drejtori i Seminarit, profesori i gjuhës, Bardh Rugova, ka thënë se numri i të interesuarve ka qenë i lartë.

Rugova ka shprehur pakënaqësinë e tij për institucionet, të cilat sipas tij, nuk po e përkrahin si duhet këtë ngjarje.

Ai thekson nevojën që ky seminar të ketë një linjë të veçantë buxhetore, e jo sikurse po ndodh, të mos dihet deri në javën e fundit se cilat aktivitete mund të mbahen ose jo.

“Kemi një numër të madh të pjesëmarrësve dhe të të interesuarve për të marrë pjesë sivjet në seminar. Ata i ndajmë në dy grupe kryesore. Në grupin që do të vijnë në seminar për të ndjekur kurset e gjuhës, janë një numër prej 100-120 studentë dhe studiues, të cilët duan që ta mësojnë në nivele të ndryshme gjuhën shqipe për nevoja të mëtutjeshme studimore”, ka thënë Rugova.

Njëra nga temat bosht për sesionet shkencore të këtij seminari është edhe “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”

Sipas profesorit të gjuhës, Bahri Koskoviku, një dimension i rrezikimit të shqipes është edhe mungesa e studimeve në fushën e albanologjisë.

“Çka nënkupton kjo “Shqipja në rrezik”, orientimi në radhë të parë është trajtimi i disa varieteteve që janë në prag të zhdukjes ose rrezikojnë të zhduken, siç është varieteti i shqipes te shqiptarët në Zarë ose arbërishtja e kështu me radhë. Mirëpo, “shqipja në rrezik” është edhe një lloj frenimi i studimeve në atë tabanin tradicional të shqipes”, ka thënë Koskoviku.

Programi bazë i Seminarit të 41-të do të përfshijë kurse intensive të mësimit të shqipes, ligjërata të veçanta të gjuhësisë etj.

Në kuadër të këtij edicioni, përveç aktiviteteve të tjera, do të mbahen nëntë ligjërata shkencore.