Të martën në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë do të mbahet protestë dyorëshe nga mësimdhënësit në ndërrimin e paradites.
Në një deklaratë të përbashkët të Këshillit Drejtues të Shkollës, Këshillit të Prindërve dhe Shoqatës Sindikale të shkollës, thuhet se protesta është reagim kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-mësimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve.
Të hënën është ndaluar një mësimdhënës i shkollës “Pavarësia” për 48 orë për sulm ndaj një nxënësi. E nga psikologu i shkollës u tha se paraprakisht mësimdhënësi ishte sulmuar nga dhjetë nxënës.
“Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve njoftojnë opinionin publik se më 10.02.2026, në ora 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë. Dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohet mësim, pasi do të mbahet protestë. Procesi mësimor do të vazhdojë rregullisht pas përfundimit të dy orëve të para, përkatësisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt. Ndërrimi i pasdites do ta zhvillojë procesin edukativo-arsimor normalisht, sipas orarit të paraparë. Qëllimi i kësaj proteste është reagimi kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve. Këto veprime cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit, si dhe dëmtojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në deklaratën e përbashkët.