Në prag të 27-vjetorit të masakrës së Reçakut, të mbijetuarit kujtojnë krimin që forcat serbe kryen ndaj civilëve shqiptarë atë ditë. Ata kërkojnë nga institucionet e drejtësisë që rasti të marrë epilog më shpejt. Pak ditë para këtij përvjetori, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave
Mali përballë vazhdon t’ia rikthejë kujtimet Ramë Shabanit, kur rreth tri dekada më parë i shpëtoi breshërisë së plumbave të forcave serbe, që i shkonin nga të gjitha anët.
Në mendje i vijnë pamjet e mëngjesit të 15 janarit të 1999-s. Atë ditë Reçaku i Shtimes u pati rrethuar nga të gjitha anët.
“Nja 10 vetë janë vrarë kah kam ikur unë. Në tesha kam pasur plumba krejt, kokën të çarë, i rrahur derisa është thyer druri në mua”, tregon ai përjetimin e asaj dite.
Vëllai i tij, 23-vjeçar, është vrarë së bashku me 29 persona të tjerë tek një përrua në mal, derisa po përpiqeshin t’u shpëtonin forcave serbe. Ai tregon momentin kur është ndarë me të.
“Ragipi ka qenë me mua. Unë nuk arrita ta kaloja gardhin se e kisha vajzën e më dhimbsej ta leja se thosha me dalë në mal shpëtojmë. Nafaka nuk e kalova, ai e kaloi, e ai u kap para neve, Ragipi, dhe e kanë masakruar në mënyrën më të rënd edhe… më jam ndalur edhe kam thanë: ‘Zot m’i ruaj mendtë, o allah m’i ruaj mendtë”, kujton Shabani.
Edhe Agron Mehmeti është i mbijetuar i masakrës së Reçakut. Para syve të tij, atëherë 22-vjeçar, i janë vrarë axha dhe vajza e axhës.
Për këtë ngjarje dhe për gjithçka që ka parë në Reçak, ai dëshmoi në Tribunalin e Hagës në vitin 2002, ku u përball drejtpërdrejt me Sllobodan Millosheviqin.
“Sa herë e këqyrsha në sy Sllobodan Millosheviqin, në anën tjetër më dukej që po i shoh njerëzit e vrarë e të masakruar të Reçakut. Unë e kam thënë atë çka kam mundur ta them, kryesorja ajo është pranuar, se kemi pasur shumë fakte dhe argumente”, thekson Mehmeti.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.
Avokati Amer Alija tregon rreziqet nga shtyrja e mëtejme e procesit gjyqësor.
“Sigurisht që krimet e luftës apo veprat penale të krimeve të luftës nuk parashkruhen, pra nuk vjetërsohen, por me kalimin e kohës vdesin personat të cilët kanë kryer krime, vdesin dëshmitarët të cilët kanë informata dhe kanë njohuri mbi identitetin e kryerësve të veprave penale dhe sigurisht që koha është duke punuar në interes të personave të dyshuar dhe është duke punuar në dëm të drejtësisë”, theksoi Alija.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht brigadës “243 të Mekanizuar”, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik.
Pas masakrës së Reçakut, është shtruar presioni ndërkombëtar mbi Serbinë. Si shef i misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, e cilësoi masakrën si krim kundër njerëzimit. Dy muaj më vonë, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve ndaj forcave të ish-Jugosllavisë.