Arbëri

Tekste shkollore me “dy çmime”, shtëpia botuese e quan “gabim teknik” shtrenjtimin

Shtëpitë botuese i kanë rritur çmimet e teksteve shkollore që i kanë botuar vjet e parvjet.

Në disa tekste që i ka siguruar KOHA, vërehet rritje e çmimit deri në gati 50 për qind. 

Në disa prej librave të klasës së dytë, të botuar në vitin 2023, në pjesën e pasme shihen nga dy letra ngjitëse, ku është shënuar çmimi. Ai i Edukatës Fizike ka kushtuar 2.50 euro, sipas letërngjitëses së parë, kurse i Matematikës 3 euro. E në letërngjitëset e vëna sipër të vjetrave, çmimi është për 1 euro më i lartë.

E në tekstet e botuara në vitin 2025 nuk ka letërngjitëse me çmime.

Në një sqarim për KOHËN, shtëpia botuese “Dukagjini” ka thënë se ky është “vetëm një gabim teknik”.

“Disa prej teksteve tona shkollore kanë pasur çmime të përditësuara përmes letërngjitëseve, sepse gjatë procesit të prodhimit të teksteve mund të ketë pasur probleme teknike gjatë printimit. Theksojmë se këto çmime përkojnë plotësisht me çmimet zyrtare të katalogut të teksteve shkollore, të dorëzuar paraprakisht në MASHTI dhe të publikuar para fillimit të shitjeve. Të gjitha libraritë në Kosovë janë të obliguara t’i respektojnë këto çmime zyrtare gjatë shitjes, të cilat janë dhënë në katalogun e teksteve shkollore”, thuhet në përgjigjen e Shtëpisë Botuese “Dukagjini”.

Mirëpo njohësi i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihu, këtë e vlerëson manipulim.

“Kjo është një formë manipulimi ku besoj se nuk mund të ndodhë pa marrëveshje. Për këtë dikush duhet të japë përgjegjësi, e jo të shënohen raste të tilla si incidente. Ministria e Arsimit duhet të marrë përgjegjësi për këtë dukuri, sepse nuk është rasti i parë dhe besoj se do të ndodhë edhe në të ardhmen. Sigurisht që kjo është e dëmshme për prindërit, sepse ata kanë mundësi të kufizuara”, ka thënë Salihu.

Edhe njohësi tjetër i arsimit, Xhavit Rexhaj, vlerëson se shpërndarja e librave ka krijuar vështirësi të panevojshme dhe ka shtuar hapësirën për raste të tilla.

“Mund të jetë edhe gabim teknik, mund edhe të mos jetë. Thelbi është se sa më kompleks të jetë procesi i shpërndarjes së librave, aq më shumë kosto do të ketë. Me rastin e librarizimit të çmimit, siç e kemi tani, kjo kosto reflektohet, ku një pjesë e mbulon ministria dhe një pjesë prindërit, sepse mjetet nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet”, ka thënë Rexhaj.

Sipas njohëseve të arsimit, MASHTI duhet të rikthejë modelin e furnizimit të mëparshëm, kur nxënësit i merrnin librat drejtpërdrejt në shkolla, pasi procesi aktual, sipas tyre, ka dështuar.

KOHA ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.