Arbëri

Telekomi: Me ndihmën e Komerciales po na grabiten edhe 5.7 milionë euro

Aktvendimin e para tri ditëve, të nxjerrë nga Gjykata Komerciale lidhur me kontestin ligjor mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Dardafon/Z-Mobile” e ka quajtur të jashtëligjshëm e kriminal kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana. Ajo ka akuzuar gjyqtarin e rastit se është i përfshirë në skemë kriminale. Aktvendimi i Komerciales e obligon Telekomin t’ia paguajë “Dardafonit” 5.7 milionë euro, dhe kjo pas mbi 40 milionë sa ia ka paguar më parë po kësaj kompanie

Gjyqtari i Gjykatë Komerciale, Hasan Kryeziu, është akuzuar nga drejtuesit e Telekomit të Kosovës se ka marrë vendim, nëpërmjet të cilit, sipas tyre, i hapet rruga grabitjes së 5.7 milionë eurove nga kompania “Dardafon”.

Kryeshefja e Telekomit, Burbuqe Hana, në konferencën për media mbajtur të hënën, ka thënë se aktvendimi i para tri ditëve i Komerciales është i jashtëligjshëm e kriminal.

“Ky aktvendim, i marrë nga gjykatësi Hasan Kryeziu, është tërësisht antiligjor, i padrejtë, në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike, në kundërshtim të plotë me provat e pakontestueshme, dhe më keq, në kundërshtim të plotë me vendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë pranë të njëjtës gjykatë... Telekomi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet relevante që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për ta parandaluar këtë skemë kriminale”, ka thënë Hana.

Aktvendimi i para tri ditëve lidhet me kontestin e dalë nga Vendimi i Arbitrazhit i vitit 2016 i zhvilluar në mes Telekomit dhe kompanisë “Dardafon/Z-Mobile”. Shumën prej 5.7 milionësh, kryeshefja Hana e ka quajtur plaçkitje.

“Në ndërkohë, me të gjitha provat dhe faktet e paraqitura në Gjykatë, është vërtetuar se Telekomi i Kosovës e ka paguar shumën prej mbi 40 milionë eurosh në emër të vendimit të Arbitrazhit, ndonëse obligimi nga Vendimi i Arbitrazhit ishte për rreth 27 milionë €. Kështu, deri tani Telekomi i Kosovës, në mënyrë të dhunshme, është detyruar të paguajë mbi 13 milionë € më tepër. Sipas aktvendimit në fjalë, plaçkitja e shumës prej 5.7 milionë € rezulton të jetë një pagesë e tepërt, mbi 19 milionë euro më e lartë se shuma e obliguar sipas Vendimit të Arbitrazhit”.

Sipas kryeshefes së Telekomit, ndonëse ndaj këtij aktvendimi mund të bëhet ankesë në Shkallën e Dytë të Gjykatës, kjo nuk mund ta ndalë ekzekutimin e tij nga përmbaruesi.

Ajo është shprehur e sigurt që shkalla e dytë e Gjykatës do të marrë vendim në favor të Telekomit, mirëpo shuma prej 5.7 milionë eurosh mund të mos i kthehet kurrë këtij institucioni, sepse kompania “Dardafon/Z-Mobile” është joaktive që nga viti 2019.

“Ne besojmë fuqishëm që në rigjykimin e Shkallës së Dytë, Dardafon do të detyrohet t’ia kthejë Telekomit paratë e tepërta të marra padrejtësisht. Por atëherë do të jetë tepër vonë, sepse llogaritë e Dardafonit mund të jenë të zbrazura. Pra, Telekomi do ta ketë në dorë vendimin e gjykatës, që i jep të drejtën e kthimit të parave, por paratë mund të jenë në posedim të fshehtë të pronarëve të Dardafon”, është shprehur kryeshefja Hana.

Në këtë konferencë Hana ka thënë se për zgjidhjen e këtij kontesti, Gjykata e Shkallës së Dytë ka kërkuar angazhimin e një kompanie të auditimit që ta bëjë vlerësimin e shumës që palët obligohen ta paguajnë.

“Gjatë kohë që Telekomi i Kosovës po e priste ftesën për mbajtjen e seancës përgatitore dhe për zgjedhjen e institucionit që do ta bënte ekspertizën financiare, sipas direktivave të Dhomave të Shkallës së Dytë, siç kërkohet nga neni 199 i LPK-së, me datën 16.02.2024, e pranuam Aktvendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, i marrë në të njëjtën ditë dhe në mënyrë tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes, pa u mbajtur asnjë seancë ku palët do të mund t’i paraqitnin pretendimet dhe provat e tyre dhe pa e caktuar fare ekspertizën financiare siç kërkohet në Vendimin e Shkallës së Dytë”, ka thënë ajo.

KOHA ka kontaktuar zyrtarët për informim në Gjykatën Komerciale dhe ata kanë refuzuar të komentojnë mbi akuzat e Telekomit. E përfaqësues ligjorë të kompanisë “Dardafon Z-Mobile” thanë se të martën do të dalin me reagim.