Arbëri

Tenderi për pajisje të hemodializës nën llupën e prokurorisë

Pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit ka rekomanduar anulimin e vendimit për dhënie të tenderit në vlerë prej 843 mijë eurosh për pajisje dhe shtretër të hemodializës në Klinikën e Nefrologjisë dhe kthimin e tenderit në rivlerësim, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet. Duke mos dhënë detaje të tjera në prokurori kanë konfirmuar se kompania fituese dyshohet për falsifikim dokumentesh

Tenderi për pajisje dhe shtretër të hemodializës për Klinikën e Nefrologjisë është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Operatori ekonomik “MediHealth”, që ka fituar tenderin me vlerë prej 843 mijë eurosh, dyshohet për “falsifikim dokumentesh”, ka konfirmuar për KOHËN Prokuroria Themelore e Prishtinës, duke mos dhënë më shumë detaje.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e të gjitha provave relevante me qëllim të zbardhjes sa më shpejt për zhvillimin e procedurës së kësaj çështjeje për veprën penale ‘‘Falsifikim i dokumentit’’, bazuar nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për më shumë nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtohet integriteti i hetimeve të kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Pas këtij konfirmimi KOHA i ka adresuar pyetje me e-mail kompanisë fituese “MediHealth”, por në përgjigje ajo ka mohuar se është subjekt i një procesi hetimor.

“Kjo është plotësisht e pavërtetë. Asnjëherë kompania jonë nuk është kontaktuar nga Prokuroria, as nuk është bërë ndonjëherë objekt hetimi lidhur me çështje të “falsifikimit të dokumenteve”. Ne e hedhim poshtë kategorikisht çdo pretendim të tillë. “MediHealth” ka funksionuar gjithmonë në përputhje të plotë me ligjin dhe rregullat përkatëse. Të gjitha dokumentet tona janë origjinale, të verifikueshme dhe të përgatitura në përputhje me standardet e kërkuara. Çdo insinuatë ndryshe është e pabazuar dhe cenon padrejtësisht reputacionin tonë si kompani serioze dhe e besueshme”, thuhet në përgjigjen e “Medihealth”.

Kjo kompani ishte shpallur fituese edhe në tenderin emergjent për hemodializë në vlerë mbi 300 mijë euro, pavarësisht gjobave që kishte marrë nga SHSKUK-ja për mosfurnizim me kohë.

Gjatë vitit 2024 “MediHealth” është gjobitur nga SHSKUK-ja tetë herë.

E nga janari deri në gusht të këtij viti, shuma e gjobave ndaj kësaj kompanie për mosliferim në afatin e paraparë me kontratë ka arritur vlerën 37 mijë e 631 euro.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për KOHËN se në rast se në tender ofrohet ndonjë dokument i falsifikuar, autoriteti kontraktues është i obliguar ta eliminojë operatorin nga gara.

“Ndaj anëtarit të grupit që ka ofruar informatë të rreme apo dokument të falsifikuar do të veprohet në përputhje me nenin 99.2 të LPP-së. Autoriteti kontraktues, në rast të dyshimit të cilitdo informacioni të dorëzuar nga Operatori Ekonomik, do të kryejë një kontroll efektiv të informatave dhe dokumentacionit të tenderit tek autoriteti/personi fizik përkatës dhe rrjedhimisht kërkesa e Autoritetit Kontraktues për noterizim të dokumenteve konsiderohet e panevojshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Neni 99.2 i Ligjit për Prokurim Publik parashikon që OSHP-ja duhet të diskualifikojë operatorin ekonomik që dorëzon të dhëna ose dokumente të falsifikuara, për një periudhë deri në një vit.
Lidhur me këtë tender Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas një ekspertize teknike ka rekomanduar anulimin e vendimit për dhënie të kontratës dhe kthimin e tenderit në rivlerësim.

E kompania “MediHealth” ka njoftuar se do t’i dorëzojë komentet e veta në OSHP lidhur me ankesën e dorëzuar nga operatori tjetër ekonomik “Komed”, duke e cilësuar vlerësimin e ekspertëve si në kundërshtim me dosjen e tenderit.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në QKUK që nga data 5 shtator, pas vendimit të ekspertëve të OSHP-së që rekomanduan rivlerësimin e tenderit, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.