Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tensione në Tiranë, protestuesit qëllojnë deputetët me vezë e përplasen me policë

tr

Qytetarët në Tiranë kanë vazhduar protestën të enjten në mëngjes kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Ata janë mbledhur para Parlamentit, aty ku pas orës 10:00 nisi seanca plenare.

Mediat në Shqipëri raportojnë se ka pasur incidente, pasi protestuesit kanë qëlluar me vezë deputetët. Tetë persona janë shoqëruar në Polici. Tre efektivë policie janë lënduar dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.

Protestuesit kanë tentuar ta çajnë kordonin e policisë dhe ka pasur përplasje me forcat e rendit. Policia është kundërpërgjigjur me spraj lotsjellës, raportoi Euronews.

Paraprakisht, disa protestues janë futur brenda një lokali ku ndodheshin deputetët dhe i kanë qëlluar me vezë dhe miell.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancë me arsyetimin se "Kuvendi është rrethuar nga qindra efektivë policie për të shuar zërin e qytetarëve që protestojnë". 

Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.