Edhe tentimi i 32-të për konstituimn e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ka rezultuar i dështuar. Në seancën e mbajtur të dielën ishin 75 deputetë në sallë, pro votuan 45, kundër 1, e abstenime s’pati. Seanca e radhës do të mbahet të martën me fillim nga ora 10:00.

 

Çitaku: Vetëvendosje po mban të bllokuar Kuvendin, kjo është pengmarrje klasike

6 o. më parë / 15 qer 2025 11:52
Citaku

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të 32-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë të qëllimshme.

“Kjo është një pengmarrje klasike. VV po e mban Kuvendin të bllokuar. Ne kemi ofruar alternativë, edhe pse nuk kemi detyrim të votojmë kandidatin e tyre pa shumicë, ata po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh Çitaku, duke theksuar se përgjegjësia për zhbllokimin bie mbi fituesin e zgjedhjeve.

Ka shtuar se nuk mund të votohet një kryetar Kuvendi me diktat dhe pa marrëveshje politike.

Ajo i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të marrë një rol më aktiv në këtë rast.

Basha: LDK-ja s'e mbajti fjalën, pati premtuar që s’do ta pengojë konstituimin e Kuvendit

6 o. më parë / 15 qer 2025 11:39
Dimal Basha

Photo: Driton Paçarada

Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është hera e 24 herë që nuk votohet komisioni zgjedhor. Sipas tij, është absurde që për 24 herë shkelet Kushtetuta.

Ka shtuar se është e paarsyeshme që deputetët të vijnë në Kuvend dhe të mos e ushtrojnë funksionin e tyre, që është vota.

“Ne i marrim parasysh ato që ndodhin, përfshirë ofertat që vijnë nga partitë tjerë, por është absurde me bë grupe punuese e me marrë ekspertë dhe mos me votu një komision të thjeshtë. E kuptojmë që LDK-ja ka dalë me një propozim. Ne kemi bë një ofertë politike, por LDK e ka refuzu. Cilat nga pikat që i ka bë LDK-ja nuk mund t’i implementojë pa PDK-në. LDK-ja duhet ta mbajë fjalën e dhënë ku kanë thënë se nuk do ta pengojnë konstituimin e Kuvendit. E kuptoj që e kanë rival Albin Kurtin, por për Kuvend nuk e kemi kandidat atë”, ka thënë ai.

Sipas tij, është e patjetërsueshme që të kalohet kjo krizë.

Dështimi i 32-të

6 o. më parë / 15 qer 2025 11:26
Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Edhe tentimi i 32-të për konstituimn e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ka rezultuar i dështuar.  Në seancën e mbajtur të dielën ishin 75 deputetë në sallë, pro votuan 45, kundër 1, e abstenime s’pati.  Seanca e radhës do të mbahet të martën me fillim nga ora 10:00.

Seanca e parë konstituive është mbajtur më 15 prill. 

Për të 24-tën herë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vazhduar me rendin e ditës të cilin e ka përcaktuar vetë, me formimin e komisionit parlamentar për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.

Si në të gjithë herët paraprake, përfaqësues të partive që deri në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, as nuk kanë propozuar anëtarë për këtë komision dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim, duke e pamundësuar kuorumin vendimmarrës.

Berisha: Partive të mëdha po u konvenon kjo situatë

7 o. më parë / 15 qer 2025 11:06
Veton Berisha

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane ka thënë se nuk ka menduar që do të shkojë kaq gjatë konstituimi i Kuvendit.

Sipas tij, nuk ka interesim të partive të mëdha për formim të institucioneve.

“Po shihet në çfarë situate është bota dhe ne ende merremi me konstituim të Kuvendit. Si duket partive të mëdha po ju konvenon kjo situatë. Ka dy muaj që nuk kemi pas ndonjë takim. Nuk ka interesim për me vazhdu”, ka thënë ai.

Sipas tij secili mandatar që i siguron 60 vota do ta ketë votën e tij.

Ka deklaruar se është bërë mjaftë me shtyrje.

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se nuk ka vija të kuqe me asnjë parti.

“Disa muaj po merremi me këtë problematikë.  Kemi parime, por vija të kuqe nuk kemi me askënd”, ka thënë ai.

Guri: S’pres zgjidhje të shpejtë të kësaj situate

7 o. më parë / 15 qer 2025 10:58
Paris Guri

Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka thënë se nuk pret që të zgjidhet shpejt ngërçi në Kuvend të Kosovës. 

Sot do të bëhet tentimi i 32-të për t'u konstituar Kuvendin e Kosovës. 

“Përderisa kemi një kryeministër me një mendësi të tillë, nuk besoj shumë në një zgjidhje të shpejtë të situatës”, ka thënë Guri para fillimit të seancës. “Ne sot do të duhej të ishim duke ngritur çështje që i preokupojnë qytetarët, që ndikojnë në jetën e tyre, e jo duke u marrë me seanca të Avni Deharit, votimi i fshehtë a i hapur. Kam pritur diçka krejt tjetër”, tha Guri.