Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tërhiqen nga funksioni njehsorë, ora e të cilëve s’përputhej me kohën

mint

Janë tërhequr nga funksioni njehsorët elektrikë që janë vërejtur se ishin në mospërputhje me kohën, njoftoi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe  Inovacionit. 

Komisioni i posaçëm i themeluar nga MINTI për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut të mërkurën dhe ka identifikuar njehsorët. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Njehsorët, që janë vërejtur mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti, sipas ministrisë. 

Ndërkohë, MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që parashtrojnë ankesa në adresën elektronike [email protected], të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, të mërkurën për “tre8tre” në KTV ka thënë se deri tash janë rreth 70 ankesa për këtë çështje.  

Komisioni nga MINTI u krijua pas denoncimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës se në një hulumtim me 800 njehsorë të rrymës në Prishtinë e Ferizaj, ka rezultuar se rryma matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën. Kjo parti madje i ka dorëzuar në KEDS ankesat e qytetarëve teksa ka paralajmëruar lëndë edhe për Prokurorinë Speciale.

Për raportimet për mospërputhje të orëve të njehsorëve më orën aktuale Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se është duke e monitoruar situatën, duke grumbulluar informata, siç thuhet, me qëllim të sigurimit të një matjeje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët dhe që reflekton një faturim të drejtë.

ZRRE-ja u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorët që në rast se hasin në probleme të tilla, fillimisht t’i drejtohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), për verifikim dhe inspektim të njehsorit elektrik.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se të hyrat e KEDS-it dhe KESCO-s përcaktohen nga ZRRE-ja, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike. 

“Gabimet  e tilla, nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre. Gjithashtu, informojmë se në bazë të legjislacionit në fuqi, përgjegjës për shqyrtimin dhe kalibrimin e njehsorëve elektrik është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, institucion kompetent për garantimin e saktësisë së pajisjeve matëse”, thuhet në njoftim.

E KEDS për këtë çështje ka mbajtur konferencë për media. 

“Koha e këtyre njehsorëve kontrollohet gjatë procesit të instalimit. Pas instalimit saktësia e orës sigurohet në përputhje me standardet e IEC 62054 – 21, i cili përcakton një saktësi prej ±0.5 sekonda në ditë, në kushte referuese të temperaturës (23 grad celsius). Në temperatura të ndryshme dhe me kalimin e kohës, devijimi në vlerë absolute mund të ndryshojë”, tha zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj. 

Ajo ka thënë se në çdo rast kur është konstatuar anomali është bërë korrigjimi përkatës me kartelën e konsumatorit. 

“Është e rëndësishme të theksohet se kohëzgjatja e tarifave mbetet gjithmonë e njëjtë, edhe nëse kalimi në tarifë fillon disa minuta më vonë, për të njëjtën vonesë edhe do të përfundojë. Pra, nëse fillon më vonë përfundon më vonë dhe nëse nisë me herët përfundon më herët. Me një fjalë periudha totale e tarifës mbetet e pandryshuar”, tha Dallaveraj.

Ajo ka thënë se as KEDS e as KESCO nuk përfitojnë financiarisht knga kjo situtë, pasi nuk lejohet nga korniza rregullative, e cilave vendoset në bazë të parimit të hyrave maksimale të lejuara. 

Ajo po ashtu ka thënë se në konferencë për media të 25 marsit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte folur për devijimin e lejuar në kodin e matjes PO-KO-006, ajo tha se ky është kod i matjes së transmisionit e jo kod i matjes së distribucionit. 

“Para vendosjes së njehsorëve të KEDS-it tek konsumatorët, njehsorët kalojnë nëpër disa etapa të vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet e veçanta. Para se KEDS të furnizohet me njehsorë, ai njehsor do t’i kaloj proceduat e regjistrimit dhe certifikimit nga AMK -Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Prodhuesit i ofrojnë njehsorët të cilët paraprakisht janë te aprovuar sipas direktivës Evropiane MID. Pra, krejt këto janë kritere në të cilat duhet të kaloj një njehsor para vendosjes së tij tek konsumatori”, tha ajo. 
Dallaveraj po ashtu tha se çdo konsumator ka të drejtë të kërkojë verifikimin e njehsorit të tij, përfshirë sinkronizimin e kohës, në raste kur evidentohet devijim i kohës merren masat menjëherë për korrigjim dhe tha se gjitha rastet shqyrtohen individualisht. 

“Patjetër, që ne do të jemi të hapur të bashkëpunojmë me ZRRE-në, si dhe të gjitha institucionet relevante, qofshin ato të drejtësisë apo edhe dikasteret e Qeverisë. Në këtë rast me Ministrinë e Industrisë, Ndërrmarrsisë dhe Tregtisë, për çka e kemi mirëpritur edhe formimin e komisionit siç kanë lajmëruar edhe zyrtarisht këta të fundit. KEDS do të paraqitet kudo që ftohet për këtë situatë, sepse po e themi edhe njëherë, që po veprojmë në përputhje me ligjet dhe rregullativat e Republikës së Kosovës”, tha ajo. 
 

LDK: KEDS-i dhe MINTI po i tërheqin provat e mashtrimit, po bëjnë vepër penale

32 min. më parë / 1 pri 2026 17:36
Visar Azemi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Visar Azemi, ka thënë se KEDS-i dhe Komisioni i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, që po i tërheqin për verifikim njehsorët elektrikë, ora e të cilëve nuk përputhet me kohën reale, janë duke kryer vepër penale.

Sipas tij ato janë prova që dëshmojnë se qytetarët janë mashtruar nga KEDS-i dhe ndaj mashtrimit nuk ka reaguar as Ministria e as Zyra e Rregullatorit për Energji. 

Ai ka thënë se si të tilla ato prova duhet të dërgohen në Prokurori. 

“Ne do të kërkojmë përgjigje dhe do të kërkojmë transparencë, duhet të dihet se çfarë po hetohet nga Ministria, pse nuk janë trajtuar deri më sot, sa është numri i njehsorëve të tërhequr dhe këto prova duhet të shkojnë në prokurori jo të asgjësohen, Edhe KEDS-i edhe Ministria, që po i tërheqin këto prova, u bëj thirrje që të mos i prekin sepse po bëjnë vepër penale dhe ajo duhet të dënohet”, ka theksuar Azemi në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën. 

Ai ka thënë se KEDS-i e ka pranuar se ka pasur devijime me njehsorët elektrikë, por sipas tij, po mundohen që këto devijime t’i quajnë teknike, të vogla, e raste të izoluara. 

Azemi ka deklaruar se nga 884 mostra që ata kanë testuar 87 për qind kanë treguar se ora mat gabimisht. 

Azemi ka thënë se ka pranuar ankesa edhe nga 500 qytetarë  që kanë treguar se orët matin gabimisht. 

“Po flasim për një skemë të madhe të mashtrimit më njehsorë në dëm të qytetarëve”, ka deklaruar ai. 

Ka kritikuar edhe MINTI-n për reagim të vonë. 

“Nëse sot paskan dalë në terren për t’i hequr njehsorët elektrikë, atëherë pyetja e thjesht është ku paskan qenë tërë këto vite që nuk kanë reaguar. Paska pasur ankesa por nuk kanë reaguar, nuk e kanë bërë punën e tyre ... Shteti paska dështuar dhe po reagojnë vetëm kur ka pasur skandali nga ne”, ka theksuar ai. 

Azemi ka thënë se pyetja është se çfarë do të bëjnë me të gjitha rastet ku është manipuluar deri më tash.

“S’mundin vetëm t’i tërheqin njehsorët, dhe të pretendojnë se janë raste të izoluar pa pasur një hetim të plotë nga organet e hetuesisë. Edhe ministria edhe KEDS-i duhet të hetohen deri në fund”, ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se ditëve në vijim do t’i drejtohet Prokurorisë për ta paraqitur rastin.