Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të premten ka njoftuar për tërheqjen nga tregu të dy produkteve të qumështit për foshnje të markës Aptamil, për shkak të dyshimeve për praninë e një substance të rrezikshme.
Sipas AUV-it, vendimi është marrë bazuar në një njoftim të pranuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, i cili është informuar përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), lidhur me praninë e substancës Cereulide në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Gjermania.
“Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar produktin APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gr. ADVANC, loti 172911, me datë skadimi 10.11.2026, në Republikën e Kosovës për kompaninë Rossmann Kosova”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, pas inspektimit të depos së “Rossmann Kosova”, inspektorët janë informuar se kompania ka nisur tërheqjen edhe të produktit APTAMIL PRE PROFUTURA DUO ADVA 800 gr., me numër artikulli 405663100.
AUV ka njoftuar se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është duke u bërë grumbullimi dhe bllokimi i produkteve të identifikuara, ndërsa së shpejti do të nisë edhe procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë këto produkte të mos i përdorin dhe t’i kthejnë ato në pikat e shitjes.