8 personat e konfirmuar me COVID-19, të shtunën, janë raste kontakti dhe punëtore të një klinike private të Gjinekologjisë, që ndodhet në periferi të Prishtinës.
Sipas informacioneve, dyshohet se infeksioni ka ardhur nga një kuzhiniere që punon në këtë klinikë. KTV-ja ka provuar që të kontaktojë me klinikën, por të njëjtit nuk kanë dashur të flasin duke e mbyllur telefonin.
Rastet pozitive janë 3 nga Komuna e Prishtinës, 2 nga Komuna e Mitrovicës, 1 rast nga Obiliqi, Fushë-Kosova e Gjilani.
Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, gjatë së dielës janë dërguar mbi 60 mostra kontakti të të infektuarve për testim.
Tutje, Gashi ka thënë se nuk kanë ndonjë informacion nëse klinika është izoluar, apo është duke e vazhduar punën. As nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë përgjigjur në lidhje se çfarë ka ndodhur me Klinikën.
E në QKUK, në Klinikën Infektive, janë duke marrë trajtim 9 pacientë, të cilët janë pozitivë me COVID-19.
Në Kosovë, deri tani janë rreth 870 raste me koronavirus, prej tyre mbi 650 janë shëruar. Komuna e Ferizajt vazhdon të jetë e para me numrin më të madh të të infektuarve, ku numri ka shkuar në mbi 90.