Arbëri

Thatësira e lë pa ujë pishinën e Gërmisë

Valët përvëluese të të nxehtit në Evropë e kanë lënë këtë verë të zbrazët pishinën më të madhe publike në Kosovë. Pishina furnizohet me ujë nga malet përreth, por thatësira ka bërë të pamundur mbushjen e saj për të ndihmuar banorët të freskohen.

Duhej të ishte vendi ideal për t’u freskuar për shkak të të nxehtit përvëlues. Por pishina e Gërmisë në Prishtinë është gjysmë e zbrazët.

Vitin e kaluar, nga 4,000 deri në 5,000 persona e vizitonin çdo ditë gjatë pikut të verës. Por sot, rrëshqitëset e ujit dhe shezllonët janë bosh.

Pishinës i duhen 5.3 milionë galonë (20,000 metra kub) ujë për t’u mbushur.

Dhe ndërsa Evropa po përvëlohet nga një valë e të nxehtit, është e vështirë të sigurohet një sasi e tillë, veçanërisht pasi objekti mbështetet në ujërat që vijnë nga malet përreth.“Momentalisht kemi 

ndoshta valën më të fuqishme të të nxehtit që po ndikon vendin tonë dhe gjithashtu rajonin, dhe fatkeqësisht nuk kemi arritur ta hapim pishinën më të madhe publike në vend. Normalisht, e mbushim me ujë nga malet për vetëm gjashtë ditë, por për shkak të mungesës së reshjeve dhe thatësisë, procesi tashmë po zgjat mbi tri javë”, thotë drejtori i kompanisë “Sport Marketing”, e cila menaxhon pishinën, Bardh Krasniqi.

Vala e të nxehtit dhe mungesa e zgjatur e reshjeve po e vështirësojnë jetën në të gjithë Kosovën.
Temperaturat po sillen rreth 35 gradë Celsius dhe Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje që qytetarët ta shmangin ekspozimin direkt ndaj diellit.

Është paralajmëruar që të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore të qëndrojnë në shtëpi.

Në qendër të Prishtinës, një tendë e përkohshme ofron pak hije për punonjësit shëndetësorë që flasin me qytetarët.

“Vala e të nxehtit që ka filluar të mbizotërojë këtu dhe në rajon mund të ndikojë negativisht në mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve. Në qytet, si shërbim parësor mjekësor, kemi filluar të ofrojmë shërbime shëndetësore për qytetarët, si matja e tensionit, e parametrave jetikë dhe dhënia e këshillave mjekësore se si të mbrohemi nga të nxehtit dhe temperaturat e larta”, deklaron specialistja e mjekësisë familjare Arieta Pula. 

Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë prekur nga vala e të nxehtit.

Edhe Serbia po përballet me një thatësirë të rëndë, ndërsa periudha e motit shumë të nxehtë dhe të thatë pa reshje vazhdon.

Instituti shtetëror meteorologjik ka paralajmëruar se një “thatësirë ekstreme” po ndikon në të mbjellat.

Në Shqipëri, lumenjtë janë pothuajse të tharë, për shkak të mungesës së reshjeve gjatë dimrit dhe pranverës.