Në prag të muajit të ndërgjegjësimit për zbulim të hershëm të kancerit të gjirit, të hënën në Prishtinë ka filluar qarkullimi i autobusit rozë. Gratë do të kenë mundësinë që përveç mamografisë falas në tri Qendra te Mjekësisë Familjare, të kenë edhe udhëtim falas nga “Trafiku Urban” gjatë gjithë muajit tetor. Të dhënat nga Klinika e Onkologjisë thonë se këtë vit është rritur për 10% numri i të prekurve nga kanceri i gjirit
Ngjyra e verdhë në këtë autobus të linjës 4 të “Trafikut Urban” nuk do të shihet deri në fund të muajit tetor. Ai është ngjyrosur rozë dhe do t’u shërbejë grave që duan të bëjnë mamografinë për udhëtim falas.
Edhe mamografia ofrohet falas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, si dhe në dy qendrat e tjera, në “Dardani” dhe “Veternik”.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se promovimi i autobusit ka për qëllim vetëdijesimin e grave për kryerjen e mamografisë.
“Fatkeqësisht statistikat tregojnë që çdo e treta grua në botë ka me u sëmur prej kancerit të gjirit dhe e vetmja armë që e kemi sot është me zbulu herët e për me zbulu herët duhet të bëhet mamografia”, theksoi Sadiku.
Gjatë këtij aktiviteti gratë u ftuan që të shfrytëzojnë mundësinë e udhëtimit dhe kryerjen e mamografisë falas.
“Do të pajisen me një biletë falas dhe kjo është diçka që munden me bë të gjithë edhe i ftoj të gjithë që të marrin pjesë të shkojnë të kontrollohen edhe shpresoj që të dalin mirë”, tha kryeshefi i “Trafikut Urban”, Burim Maraj.
E qytetarët që e shfrytëzuan këtë shërbim, thanë se vizitat mjekësore janë të rëndësishme.
“Unë deri tash nuk kam pasur nevojë, një herë e kam bërë më ka dalë mirë e sot e dëgjova në telefon, në internet dhe vendosa me ardhë këtu me bë mamografinë”, theksoi qytetarja Shehide Zymberi.
Numri i rasteve me kancer të gjirit këtë vit është rritur për 10 për qind.
“Në 8 mujorin e parë të këtij viti kemi regjistruar rreth 300 raste me kancer të gjirit që është për gati 10 % më shumë se viti i kaluar dhe deri në fund vit ky numër mund të shkojë deri 450 raste”, deklaroi drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi.
Sëmundja e kancerit të gjirit dominon te gratë e moshës mbi 50 vjeç, por sipas Kurtishit është në rritje identifikimi i sëmundjes edhe te gratë më të reja.
Tetori është quajtur muaji rozë, pasi i kushtohet ndërgjegjësimit për zbulim të hershëm të kancerit të gjirit.