Punëtorët e “Trafikut Urban” kanë paralajmëruar se nga data 13 shkurt do të hyjnë në grevë.
Në një njoftim për menaxhmentin dhe Bordin e ndërmarrjes publike thuhet se më 26 janar janë parashtruar kërkesat dhe paralajmërimi për hyrje në grevë nëse nuk do të kishte përgjigje, e meqë nuk ka pasur përgjigje deri më 6 shkurt punëtorët kanë njoftuar se greva nis më 13.
Disa punëtorë i kanë thënë Kohës se iu janë premtuar nga 100 euro rritje rroge, por se kjo nuk është përmbushur.
“Ju rikujtojmë se me datë 26.01.2026 është bërë njoftimi paraprak lidhur me kërkesat e parashtruara dhe paralajmërimin për hyrje në grevë në rast të mosmarrjes së përgjigjes. Duke qenë se deri me darë 06.02.2026 nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare nga organet kompetente, ju njoftojmë se punëtorët do të hyjnë në grevë me datë 13.02.2026”, thuhet në njoftimin e punëtorëve.
Punëtorët njoftojnë tutje se në përputhje me dispozitat ligjore, garantohet edhe respektimi i minimumit të procesit të punës në mënyrë që mos rrezikohet interesi publik dhe siguria e qytetarëve.
Për nëntë ditë vitin e kaluar “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë kishin ndërprerë shërbimet shkaku i borxheve të pashlyera nga Komuna. Zgjidhje ishte gjetur vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve, pas të cilit vendim nisi alokimin e Ministria e Financave. Puna e transportuesve pati nisur më 3 dhjetor.