Aktivistë të mjedisit kanë akuzuar ekzekutivin se po krijon monopole duke mos hapur konkurse për licencimin e hartuesve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, dokument që u duhet shumë kompanive e ndërmarrjeve. Në Ministrinë e Mjedisit nuk treguan arsyen e shpërfilljes së udhëzimit administrativ, që parasheh konkurse të tilla çdo vit
Tash e tre vjet, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ka hapur konkurs për licencimin e personave që hartojnë raporte të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Ministria, sipas Udhëzimit Administrativ, duhet që këtë ta bëjë çdo vit.
Kjo kategori e profesionistëve duhet angazhuar nga kompanitë që realizojnë projekte me ndikim të madh në mjedis.
Ligji përcakton që kompanitë e ndërmarrjeve që merren me prodhimin dhe procesimin e metaleve, industrinë e mineraleve, industrinë ekstraktuese, atë energjetike, infrastrukturën e transportit, e të tjera, duhet të jenë të pajisura me raporte vlerësimi për ndikimin në mjedis përpara se të marrin leje ndërtimi.
Në Ministri nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për arsyet e mungesës së konkursit dhe as nuk treguan se kur planifikohet të hapet ai i radhës.
Egzona Shala-Kadiu, që udhëheq organizatën “EcoZ”, e cila merret me çështjet e mjedisit, ka thënë se mos-hapja e konkursit ndikon që edhe vlerësimet që bëhen të mos jenë mjaftueshëm kualitative.
Sipas saj, vlerësimet shpesh bëhen të ngjashme me njëra-tjetrën.
“Kjo e redukton diversitetin e VNM-ve në momentin që në Kosovë ka sa më shumë persona të licencuar, sa më shumë VNM që hartohen, kjo nënkupton që rriten edhe cilësia dhe kualiteti i VNM-ve...Në aspektin mjedisor e rrit një lloj kualiteti të produkteve sidomos të VNM-ve, që munden me qenë opsionale për bizneset e jo që të jenë të reduktuara në hartues, në përzgjedhje, në formalitete dhe kështu përfundojmë në VNM copy-paste, të cilat nuk janë mirë të hartuara”, ka thënë Shala.
E kryetari i iniciativës qytetare “Green për Drenas”, Xhavit Drenori, ka thënë që edhe kur këto vlerësime të jenë në rregull, zakonisht gjatë punës nuk respektohen kriteret e vlerësimet e paracaktuara.
“Ne si organizatë, si iniciativë qytetare, nuk i kemi kapacitetet që të ndalemi në çdo imtësi, në aspektin teknik. Mirëpo, në aspektin e jashtëm ka pasur defekte, debatet publike nuk bëhen si duhen dhe më pas dokumenti final, i cili lëshohet, nuk respektohet”, ka theksuar Drenori.
Për një vlerësim të ndikimit mjedisor, varësisht prej projektit, personat e licencuar paguhen deri në 60 mijë euro.
Konsorciumi i organizatave joqeveritare “Corr Watch” në një reagim, ka shprehur dyshime se mos-hapja e konkursit mund të çojë në krijimin e monopoleve, pasi që tregu nuk po hapet rregullisht ashtu siç e parasheh ligji.