Pasi qëndroi për gati tre vjet qëkur u ble, pajisja e neuroendoskopisë në Klinikën e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u përdor për herë të parë në korrik sivjet falë mbështetjes nga një ekspert gjerman.
Pajisja pati qëndruar e papërdorur për gati tre vjet, ndonëse ishte blerë në vitin 2023 me financim të Ministrisë së Shëndetësisë përmes Projektit të Rimëkëmbjes. Investimi për këtë pajisje ka arritur vlerën e rreth 95 mijë eurove. KOHA pati raportuar në muajin maj të këtij viti se neuroendoskopi ende nuk ishte funksional.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKëtë e pati konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, i cili asokohe nuk pati dhënë shpjegime për arsyet e mosfunksionalizimit të pajisjes.
Qendra Klinike Universitar e Kosovës ka bërë të ditur se në këtë klinikë janë realizuar për herë të parë operime me teknikën e neuroendoskopisë.
“Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shënuar një arritje të rëndësishme profesionale, duke realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, një nga metodat më moderne dhe minimalisht invazive në kirurgjinë e trurit”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, këto ndërhyrje janë realizuar me mbështetjen e një eksperti ndërkombëtar.
“Më 6 dhe 7 korrik, klinika pati nderin të mirëpresë neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, në bashkëpunim me ekipin profesional të Klinikës së Neurokirurgjisë, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave të avancuara kirurgjikale”, thuhet më tej në njoftim.
Për fillimin e këtij shërbimi ka njoftuar edhe Durim Elshani, këshilltari i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Pasi u siguruan pajisjet e avancuara, u realizua me sukses operimi i parë me teknikën e neuroendoskopisë në QKUK. Një tjetër shërbim që deri tani trajtohej jashtë vendit, me kosto të lartë për shtetin”, ka shkruar ai.
KOHA në muajin maj pati raportuar se sipas platformave ndërkombëtare të turizmit mjekësor dhe klinikave private jashtë vendit, ndërhyrjet me neuroendoskopi kushtojnë nga rreth 10 mijë deri në mbi 50 mijë euro, varësisht nga kompleksiteti i rastit dhe shteti ku kryhet operimi.
Përveç neuroendoskopit, Ministria e Shëndetësisë, përmes Projektit të Rimëkëmbjes, pati financuar për Klinikën e Neurokirurgjisë edhe pajisje të tjera moderne, si neuronavigatorin, mikroskopin operativ, aspiratorin ultrasonik dhe fluoroskopin.
Edhe përdorimi i neuronavigatorit dhe aspiratorit ultrasonik kishte nisur me asistimin e ekspertëve ndërkombëtarë. Në një njoftim të SHSKUK-së të datës 11 shtator 2024 thuhej se operimet me këto pajisje ishin realizuar me ndihmën e specialistëve nga Turqia.