Tri vrasje kanë ndodhur gjatë vitit 2022 në Komunën e Podujevës.
Komandanti i Sacionit të Policisë në këtë komunë, Nijazi Jashari, duke raportuar në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ka theksuar se gjatë vitit të kaluar kanë qenë edhe 11 vdekje të dyshimta.
“Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës raportoi Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Nijazi Jashari, i cili tha se për vitin 2022 ka pasur 263 vepra penale, 3 vrasje, 5 tentativa për vrasje, 11 vdekje të dyshimta, 1 raste i dhunimit, 5 keqtrajtime seksual dhe 6 raste të braktisjes së fëmijëve”, thuhet në komunikatën e Zyrës për marrëdhënie me publikun dhe informim të Komunës së Podujevës.
Tutje thuhet se gjatë vitit 2022 në Stacionin Policor të Podujevës kanë qenë 240 persona të ndaluar, 76 arreste shtëpiake, 281 aksidente me dëme materiale, 53 prej tyre me persona të lënduar, janë shqiptuar 9725 tiketa trafiku, që është rreth 35% më shumë se vitin e kaluar dhe se janë konfiskuar 199 vetura dhe marrë 164 armë pa leje.
“Përfaqësuesi i KFOR-it Oliver Izmay gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile, duke theksuar se KFOR nuk ka hasur në indikacione të cilat e rrezikojnë rendin dhe qetësinë në vend. Togerja e FSK-së Ilirjana Bunjaku ka thënë se gjendja në Komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile, ndërsa ka shtuar se FSK gjatë kësaj kohe nuk ka pasur ndonjë aktivitet që vlen të potencohet”, vazhdon komunikata. “Ndërsa sa i përket planit të punës për vitin 2023 anëtari i Shoqërisë Civile, Shemsi Jashari ka thënë se plani i punës për vitin 2023 është përafërsisht i njëjtë me atë të vitit paraprak, në këtë plan të punës adresohen shumë çështje që na preokupojnë në jetën e përditshme dhe me grupin punues kemi vendosur disa objektiva për qasjen tonë ndaj fenomeneve të ndryshme që na prekin si shoqëri”.
Ndërkohë, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, ka theksuar se në plan të punës parashihen edhe
aktivitetet në nivel të shkollave, për edukime mbi ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Propozimi i planit të punës së KKSB-së për vitin 2023 u aprovua dhe kaloi për shqyrtim në Kuvend.