Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka marrë ftesë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën, si anëtare themeluese. 

Lajmin e ka bërë të ditur Osmani në një postimin në Facebook, ndërsa ka postuar edhe letrën e Trumpit. Ajo ka pranuar ftesën. 

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej.  Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes - dhe ne jemi gati”, ka shkruar Osmani. 

Më herë në këtë bord është ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në Bordin për Paqe janë ftuar liderë nga shumë vende të botës. 

“Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Presidente e Republikës së Kosovës, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!” – thuhet në letrën e Trumpit ndër të tjera. “Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Kosovës të përfaqësuar nga ju, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Kartën e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme me të! Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të PAQES BOTËRORE, MIRËQËNIES, DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!”


 

Haradinaj pasi Kosova u ftua në Bordin e Paqes nga Trumpi: Një dritare shprese për ne

1 j. më parë / 21 jan 2026 15:19
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kreu i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është lajm shumë i mirë ftesa që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ia ka drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes. 

“Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne.  Kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

Ai ka thënë se rikthimi i Kosovës si partner i besueshëm dhe serioz i SHBA-së është jetik. 

“Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, ka shkruar Haradinaj. 


 

Çka është Bordi i Paqes i Trumpit, në të cilin do të bëjë pjesë edhe Kosova

1 j. më parë / 21 jan 2026 11:04
Donald Trump

Kosova është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes, një organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës. Ftesë të ngjashme kanë marrë shumë liderë botërorë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Franca dhe Norvegjia janë vendet e vetme që deri tash kanë refuzuar ftesën.

Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes përmes një rezolute të hartuar nga SHBA-ja në muajin nëntor, duke i dhënë këtij mekanizmi peshë dhe legjitimitet ndërkombëtar.

Rezoluta i jep bordit mandat për të bashkëpunuar me qeveritë në rekrutimin e paqeruajtësve ndërkombëtarë për Gazën. Sipas dokumentit, bordi do të zbatonte planin e Trumpit në Gazë derisa Autoriteti Palestinez, i njohur ndërkombëtarisht, të përmbushë reformat e nevojshme institucionale.

Sipas statutit të propozuar, të siguruar nga The New York Times, Bordi i Paqes synon të “sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, jo vetëm në Gazë, duke bërë thirrje për krijimin e “një organi ndërkombëtar për ndërtimin e paqes më fleksibël dhe më efektiv”.

Lista e shteteve të ftuara përfshin Britaninë e Madhe, Jordaninë, Rusinë dhe vende të tjera, por deri më tani vetëm një numër i kufizuar shtetesh kanë konfirmuar gatishmërinë për t’u bashkuar.

Pavarësisht rolit mbikëqyrës mbi Gazën, as Bordi i Paqes dhe as Bordi Ekzekutiv për Gazën, i cili do të veprojë nën autoritetin e tij, nuk përfshijnë anëtarë palestinezë. Megjithatë, bordi pritet të mbikëqyrë punën e një grupi teknokratësh palestinezë, të ngarkuar me administrimin e shërbimeve publike në Gazë.

Analistët vlerësojnë se ky grup do të përballet me sfida të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh se Gaza mbetet e ndarë mes zonave nën kontrollin izraelit dhe atij të Hamasit.

Disa shtete kanë shprehur skepticizëm, edhe për shkak të kostos financiare. Për të siguruar një vend të përhershëm në Bordin e Paqes, secili shtet do të duhej të paguante më shumë se një miliard dollarë brenda vitit të parë për financimin e funksionimit të këtij organi, ndonëse ekziston mundësia e anëtarësimit pa pagesë për një mandat trevjeçar.

Franca ka bërë të ditur se aktualisht nuk synon t’i bashkohet bordit, duke argumentuar se statuti i tij ngre pikëpyetje serioze lidhur me respektimin e rolit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, në mesin e të ftuarve për t’iu bashkuar Bordit të Paqes është edhe presidenti rus Vladimir Putin. Mbetet e paqartë se sa shtete do të zgjedhin anëtarësimin e përhershëm me pagesë dhe sa do të pranojnë mandatin opsional trevjeçar pa kosto.

Po ashtu, ende nuk është e qartë shtrirja e mbikëqyrjes së Bordit të Paqes mbi Gazën dhe kohëzgjatja e mandatit të tij. Megjithatë, dy nënkomitete që raportojnë drejtpërdrejt te ky bord janë krijuar tashmë për të zbatuar planin e Trumpit.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë emëroi Bordin Ekzekutiv për Gazën, i cili përfshin Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit Trump, si dhe Steve Witkoffin, të dërguarin e tij të posaçëm. Në këtë bord marrin pjesë edhe zyrtarë nga Katari dhe Egjipti, si dhe një biznesmen izraelit.