Nga viti në vit, për disa vjet me radhë u bartën mjetet për ndërtimin e një tuneli në qendër të Prishtinës.
Madje, në vitin 2020, ishte shpallur edhe tenderi për ndërtimin e tunelit në rrugën “Agim Ramadani”, ku parashikohej vlera prej 2.8 milionë eurosh.
Disa vjet më pas, nënkalimi që parashihet të jetë 300 metra i gjatë, ende nuk ka filluar të ndërtohet.
Me këtë projekt, parashihet që të ketë një tunel që do të përdoret për kalimin e veturave, ndërsa pjesa mbi, do të shfrytëzohet si shëtitore, e cila do ta lidhë sheshin me pjesën e vjetër të Prishtinës.
Si pjesë edhe e programit të fushatës zgjedhore të Përparim Ramës, ky është njëri ndër projektet më prioritare për Drejtorinë e Investimeve Kapitale. Megjithatë, kur po bëhen 1 vit nga qeverisja e kryetarit Përparim Rama, në Prishtinë, ky projekt ende nuk ka dalë as në tenderim.
Për vitin e ardhshëm, komuna tashmë ka ndarë mjetet prej 500 mijë eurosh për fillimin e ndërtimit të këtij tuneli.
Qytetarët e shohin si një ide të mirë zgjatjen e sheshit për të bashkuar me pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës.
Por ky projekt shihet si i realizueshëm nga profesionistët.
Arkitekti Ideal Vejsa thotë se projektet e mëdha kërkojnë kohë për t’u realizuar, porse teknikat e tanishme e mundësojnë realizimin e tij.
“Projektet më të mëdha lypin më shumë kohë, por ky projekt është shumë i mirë që mundëson lidhjen e sheshit me pjesën tjetër të qytetit. Planifikimi i qytetit bëhet për vite të tëra, kështu që këto intervenime janë pakëz më të mëdha marrin më shumë kohë, por vlera është shumë e madhe sepse i jep këmbësorëve të lidhen me pjesën e vjetër të qytetit e normalisht e rritë edhe gjatësinë e qytetit”, thotë Vejsa.
Për ta vazhduar shëtitoren mbi këtë rrugë, Vejsa thotë se është e rëndësishme të ritrajtohet nga fillimi edhe sheshi ekzistues.
“Arkitektura është e lidhur me përjetimet që ne i kemi, dhe kjo është e rëndësishme që të lidhet e reja me të vjetrën, sheshi si pjesë e re e historisë sonë, kurse ana tjetër është e vjetër dhe për të gjithë ne e bën ndërlidhjen e kohërave e cila emocionalisht e ka një efekt shumë të rëndësishëm edhe vizualisht gjithashtu. Nuk e di si e kanë menduar por është e rëndësishme që kjo të ri-trajtohet në tërësi pasi edhe sheshi i ka ardhur koha që të ri-trajtohet dhe njëkohësisht trajtohet si tërësi sa që në të ardhmen do të harrojmë që ndonjëherë ka qenë e ndarë”, tha Vejsa.
Sipas planit, tuneli do të jetë nga pjesa ku kalon lumi Vellusha dhe do të vazhdohet deri tek objekti i vjetër i Komunës së Prishtinës.