Ferdane Hajdari nga fshati Mihaliq i Vushtrrisë tash e 20 vjet lëviz me karrocë dhe përdor kateter.
Në qershor të këtij viti, Komisioni vlerësues i Departamentit të Pensioneve në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ia ka ndaluar kujdestarin personal, të cilin edhe para pesë vjetësh e kishte fituar përmes gjykatës.
Kjo, pasi ky komision, pavarësisht ankesave dy herë radhazi e ka vendosur atë në grupin e dytë të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pavarësisht mendimit konziliar nga QKUK-ja. Kështu ia ka mohuar asaj të drejtën për kompensim të grupit të parë.
Sipas ligjit aktual, përveç 150 eurove, personave me pasoja të përhershme dhe të plota në inkontinencë, me humbje të ndjeshmërisë së plotë të ekstremiteteve dhe me qëllim të parandalimit të plagëve dekubitare u takojnë edhe 225 euro shtesë që përfshijnë kujdestarin personal dhe materialin për parandalimin e plagëve.
Për të fituar këto të drejta, 46-vjeçarja thotë se do të jetë e detyruar që sërish të nisë procedura gjyqësore.
“Me 150 euro nuk po kena çka me ba, me një mjekësi me shku nuk po na dalin paret. I kishim lut që me na i qit edhe për përcjellës paret se shumë vështirë pa pare dhe pa përcjellës. Jena qysh jena. Pa e pasë përcjellësin nuk po mundemi me u ul as në kauç, as me shku në banjo vetë, as kurgjo. Fëmijëve ua kemi humb shkollën veç me na ndihmu neve çka jena qështu në karroca e që kena nevojë, se shumë vështirë është, veç kush e provon”, tha Hajdari.
Në situatë të njëjtë është edhe Ibrahim Hetimi nga Skenderaj. Në vitin 2017 i ishte mohuar e drejta për kujdestar. Ai i ishte drejtuar Gjykatës Themelore dhe ajo e kishte hedhur poshtë vendimin e komisionit duke e caktuar atë në kategorinë e parë.
Por pas 5 vjetësh, kur ka ardhur koha e rivlerësimit të kategorizimit, 57- vjeçarin e kanë vlerësuar sërish në grupin e dytë.
“Me anë të një infeksioni, mos e dhanë Zoti, por në qoftë se nuk kemi mjete të kujdesemi për dyshek anti-inkubitar sikur me fjetë, sikur me qëndru në karrocë apo për inkotinencë që nuk e kemi ndjeshmërinë e duhur në gjymtyrët e poshtme, atëherë është një infeksion i tillë, është edhe fatal dhe mundet me qenë edhe vdekjeprurës, prandaj është ba një shkelje shumë e madhe që Komisioni vlerësues nuk po e kupton termin paraplegjikë dhe tetraplegji se çka do me thënë, ose janë duke na parë vetëm në aspektin visual, të jashtëm, e jo dëmet që sjell një paraplegji”, tha Hetemi.
Kryetari i “Handikosit”, Afrim Maliqi, thotë se viteve të fundit kanë vërejtur padrejtësi në vlerësim të këtyre grupeve.
“Vlerësim jo i drejtë është kur ai pesë vjet ka mundur ta ketë kujdestarin me të drejtë, ndërsa tani ia eliminon kujdestarin edhe materialin për kointinencë dhe medikamente apo parandalim të plagëve dekuibitare. …Ndodh që komisionet të thonë vetëm ngriti duart lart, personi mund ndoshta t'i ngre duart edhe në karrocë është person me lëndim spinal, i cili ka nevoja të domosdoshme për shërbime ditore, edhe ato shërbime janë të domosdoshme dhe ato shërbime këto familje apo këta persona duhet t'i blejnë të gjitha”, tha Maliqi.
Bazuar në ankesat që kanë pranuar, në pesë vjetët e fundit janë rreth 600 persona që u është ndaluar kjo e drejtë.
Çështjen e vlerësimit jo të drejtë në komisionet vlerësuese për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, “Handikos” e ka ngritur edhe në institucionet më të larta të vendit, nisur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në Presidencë dhe në Qeveri.
Derisa Qeveria dhe Presidenca nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS, nga të dhënat që ka ndarë Departamenti i Pensioneve është konfirmuar se në krahasim me vitin 2021, këtë vit në kategorinë e parë janë 547 persona më pak.
“Komisioni mjekësor i cili bën vlerësimin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë i përbërë nga ekspertë të profileve të ndryshme në seancat mjekësore bën ekzaminimin fizik të gjendjes shëndetësore të palës dhe raporteve mjekësore e më pastaj vendos që t’i njihet e drejta apo jo. Pa marrë parasysh raportit konziliar, i cili ka karakter procedural, mandatin në kuptim të njohjes së të drejtës e ka vetëm komisioni mjekësor i mandatuar nga MFPT-ja”, thuhet nga Departamenti i Pensioneve.
Edhe nga shoqata “Handifer” në Ferizaj e kanë konfirmuar se 25 personave u është ndaluar përcjellësi apo kujdestari personal.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.